Gazetarja Klodiana Lala ka reaguar pas përplasjes me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ndodhur sot jashtë ambienteve të SPAK-ut, ku ky i fundit paraqitet në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje”.
E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, Lala deklaroi se pyetjet që i drejton politikanëve kanë si qëllim informimin e publikut dhe se nuk do të ndryshojë mënyrën e saj të raportimit, pavarësisht reagimeve apo përplasjeve.
Ajo e cilësoi gjuhën e përdorur nga Berisha ndaj saj si të papranueshme, duke theksuar se në momentin e debatit ishte duke ushtruar detyrën si gazetare.
“Unë drejtoj pyetje që i konsideroj në interes të publikut. Gjuha e tij ishte e papranueshme. Isha aty dhe jam në ushtrim të detyrës sime. Nuk kërkoj vota siç bën Berisha. Zoti Berisha do të shkojë në zgjedhje pas 6-7 muajsh dhe duhet të bindë qytetarët”, u shpreh gazetarja.
Lala theksoi se do të vijojë të kërkojë përgjigje nga përfaqësuesit politikë, duke nënvizuar se nuk ekzistojnë pyetje të gabuara kur ato bëhen në funksion të interesit publik.














