Vendosni fjalën kyçe....

Rumania do paguajë për të mbajtur trupat ameriane në vend


Presidenti i Rumanisë i ka ofruar SHBA-së të paguajë për të mbajtur trupat amerikane të dislokuara në vendin e tij, ndërsa shkeljet e hapësirës ajrore nga dronët rusë shtojnë shqetësimet për sigurinë në rajonin e Detit të Zi dhe administrata Trump po ndërmerr hapa për të pakësuar praninë ushtarake amerikane në Evropë.

Nicușor Dan i tha Financial Times se kishte paraqitur një propozim me “disa shifra… lidhur me trupat dhe ndarjen e kostove”, duke ndjekur shembullin e një oferte të mëparshme të Polonisë. Në shtator, Varshava propozoi t’i paguante Uashingtonit 15 mijë dollarë në vit për çdo ushtar amerikan të dislokuar në një bazë ushtarake të planifikuar, të pagëzuar me emrin Fort Trump.

“Ne duam të kemi më shumë trupa amerikane dhe më shumë kapacitete me fuqi shkatërruese”, tha Dan.

Zyra e presidentit rumun bëri të ditur se prania ushtarake amerikane në Rumani përbëhet aktualisht nga 1 172 ushtarë, nga 1 700 që kishte në të kaluarën. Ajo la të kuptohej se po shqyrtonte një shifër të ngjashme me atë të ofertës polake.

Komentet e Dan vijnë vetëm pak ditë pasi ai ia paraqiti këtë ofertë zëvendëssekretarit amerikan të Mbrojtjes, Elbridge Colby, gjatë vizitës së këtij të fundit në Poloni dhe Rumani, dy vendet më të populluara në krahun lindor të NATO-s, ku shkoi për të vlerësuar sfidat e sigurisë në rajon.

Colby ka mbrojtur më parë idenë e një pranie ushtarake amerikane “më të kufizuar dhe më të përqendruar” në Evropë. Ndërkohë, Departamenti i Mbrojtjes, nën drejtimin e Pete Hegseth, ka kërcënuar vazhdimisht se do ta zvogëlojë ndjeshëm praninë ushtarake amerikane në kontinent.

Aktualisht, SHBA-ja ka rreth 10 mijë ushtarë në Poloni, të shpërndarë në një duzinë bazash dhe instalacionesh. Varshava po këmbëngul për ndërtimin e një baze të përhershme që do të mbajë emrin e Donald Trump dhe ka ofruar të mbulojë kostot e saj, si edhe të paguajë 15 mijë dollarë në vit për çdo ushtar të dislokuar në Fort Trump.

Pas takimit me Hegseth të martën, ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, tha se zyrtari amerikan i kishte thënë se “gjithçka po ecën në drejtimin e duhur”. Ai e interpretoi këtë si një “dritë jeshile” nga Pentagoni për krijimin e një baze të përhershme ushtarake amerikane në Poloni.

Pentagoni nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Dan tha se vendi i tij ka një “politikë të jashtme shumë, shumë të ngjashme” me atë të Polonisë, e cila mban një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë. “Ne e kuptojmë kërcënimin që paraqet Rusia dhe e kuptojmë se si lufta në Ukrainë [kërcënon] sigurinë tonë”, tha presidenti rumun.

Lufta në Ukrainën fqinje ka ndikuar edhe në vendin e Detit të Zi: dronët rusë janë rrëzuar disa herë në territorin rumun, ndërsa anije tregtare janë goditur pranë brigjeve të tij.

“Rusët po përpiqen… të ndryshojnë mentalitetin e vendeve evropiane që mbështesin Ukrainën”, tha Dan. “Ashtu siç ndodhi me dronët ajrorë që hynë në territorin tonë, ne morëm [ndihmë] dhe tani jemi shumë më të mbrojtur. Planifikojmë të bëjmë të njëjtën gjë edhe në Detin e Zi: të shtojmë pajisjet, të jemi më të përgatitur, por pa e përshkallëzuar situatën.”

Rumania po e rrit gradualisht buxhetin e mbrojtjes, tha Dan. Megjithatë, deficiti i saj i madh publik nuk e lejon Bukureshtin të arrijë shpenzimet ushtarake të Polonisë, të cilat tashmë janë pranë 5 për qind të PBB-së. Ky është një objektiv i Trumpit, për të cilin aleatët e NATO-s kanë rënë dakord se duhet të përmbushet deri në vitin 2035.

Dan tha se baza ajrore amerikane në Mihail Kogălniceanu, pranë bregdetit të Detit të Zi, si dhe porti i Konstancës, kanë rëndësi të konsiderueshme strategjike për SHBA-në. Presidenti rumun vuri në dukje se Bukureshti i lejoi forcave amerikane të përdornin bazën ajrore gjatë luftës së Trumpit kundër Iranit këtë vit, në një kohë kur kryeqytete të tjera të BE-së nuk i dhanë SHBA-së leje të përdorte instalacionet e tyre.

Sandu-Valentin Mateiu, ish-komandant i marinës rumune dhe ekspert ushtarak, theksoi se personeli ushtarak amerikan i dislokuar aktualisht në vend ndodhet atje kryesisht për të “garantuar funksionimin” e bazave amerikane. Përveç bazës ajrore, SHBA-ja ka dislokuar personel dhe sisteme të mbrojtjes kundër raketave balistike edhe në një bazë të dytë amerikane në Deveselu, në jug të Rumanisë, pranë kufirit me Bullgarinë. Mateiu tha se mbetet për t’u parë nëse SHBA-ja është e gatshme të dërgojë njësi luftarake në Rumani.

Dan tha se marrëdhëniet me administratën Trump janë përmirësuar krahasuar me periudhën menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 në Rumani, të cilat u anuluan mes akuzave për ndërhyrje ruse.

Në vitin 2025, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance e përmendi Rumaninë si shembull të asaj që ai e cilësoi si goditje të Evropës ndaj politikanëve të krahut të djathtë, duke i përshkruar si “të dobëta” provat për ndërhyrjen ruse. Por Dan, i cili u zgjodh president në përsëritjen e votimit vitin e kaluar, i minimizoi tensionet fillestare.

“Në SHBA kishte ardhur një administratë e re, e cila nuk i kishte të gjitha informacionet për bashkëpunimin tonë dypalësh”, tha ai. “Shumë shpejt më pas, mendoj se e kuptuan.”

https://www.ft.com/content/68c11e35-8347-4ceb-812a-d3f195978249?syn-25a6b1a6=1