Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka vendosur ta shtyjë për nesër nga ora 11:00 vazhdimin e seancës së sotme pasi deputetët u vonuan gjysmë ore për t’u kthyer nga pauza.
Rendi i ditës i mbetur:
4. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 11/L-024 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Ekstradim;
5. Shqyrtimi i Projektligjit 11/L-025 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Transferimin e Personave të Dënuar;
6. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 11/L-026 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale;
7.Shqyrtimi i Projektligjit nr. 11/L-027 për Ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës;
8. Propozim-Programi i Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Sesionin Vjeshtor 2026;
9. Interpelanca me ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë, z. Arben Vitia, në lidhje me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapi dhe mungesa e barnave onkologjike;
10. Mocion përmbajtjesor mbi gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Deputetët vonohen, Haxhiu e shtyn seancën për nesër
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka vendosur ta shtyjë vazhdimin e seancës së sotme pasi deputetët u vonuan gjysmë ore për t’u kthyer nga pauza.
Haxhiu ka thënë se nuk është serioze që deputetët vonohen. Seanca u shty për nesër në orën 11:00.
“Seanca i vazhdon punimet nesër në orën 11:00. Nuk është serioze që edhe 30 minuta pas orës 14:00 deputetët nuk po vijnë. Unë nuk kam mundësi të funksionoj e të pres deri në pafundësi”, deklaroi Haxhiu.
Në sallë ishin disa deputetë të PDK-së, të LDK-së dhe vetëm dy të VV-së.
Në rend dite ishin katër marrëveshje ndërkombëtare, interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, mocioni për energjinë dhe diskutimi për Ligjin për Gjykatën Speciale.
Ministri i Sportit: Kemi vështirësi për Lojërat Mesdhetare
Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka pranuar se organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” po përballet me vështirësi dhe vonesa, duke përmendur si arsye jostabilitetin institucional dhe problemet në komunikimin ndërinstitucional.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, Gashani ka thënë se periudha dyvjeçare e jostabilitetit ka ndikuar negativisht në përgatitjet për organizimin e kësaj ngjarjeje të madhe sportive.
Ai ka theksuar se Ligji për Lojërat Mesdhetare nuk ishte miratuar për 15 muaj, ndërsa pas marrjes së mandatit, sipas tij, është vepruar me dinamikë të shpejtë për procedimin e tij dhe formimin e Komitetit Organizativ.
“Po iu tregoj qe po, kemi shqetësime, kemi vështirësi sepse ka pasur jo-stabilitet dhe ai dy vjeçar ka shkaktuar edhe vonesa dhe vështirësi edhe në Lojërat Mesdhetare. Që t’i përmendim vetëm disa nga ato, 15 muaj Ligji për Lojërat Mesdhetare nuk është aprovuar dhe sapo kemi marrë mandatin, me dinamikë shumë të shpejtë kemi proceduar e pastaj ka derivuar edhe formimi i Komitetit Organizativ dhe po vazhdojmë me intensitet të plotë”, ka deklaruar Gashani.
Ministri ka pranuar gjithashtu se vështirësitë nuk lidhen vetëm me komunikimin ndërmjet institucioneve vendore, por edhe me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).
Ai ka thënë se ekzistojnë mospajtime dhe fërkime të brendshme, të cilat, sipas tij, nuk është e dobishme të diskutohen publikisht, ndërsa ka përmendur edhe mungesën e një qeverie të plotë si një prej faktorëve që kanë ndikuar në këtë proces.
Një tjetër shqetësim që Gashani e ka ngritur në Kuvend lidhet me përfshirjen gjeografike të Kosovës në organizimin e Lojërave Mesdhetare, parim që sipas tij është vendosur të mos respektohet gjatë vitit 2025.
“Natyrisht që kemi vështirësi sepse vështirësi kemi edhe me komunikim ndërinstitucional por edhe me komunikim me Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare që është ICMG. Ku është vështirësia kryesore me ICMG-n, por poashtu edhe me institucionet tona. Ka shumë, edhe komunikimet e fërkimet e brendshme dhe mospajtimet e brendshme nuk është mirë të dalin ne publik sepse nuk ndihmojnë. Jo pse nuk jemi transparent por sepse nuk ndihmojnë por disa prej vështirësive janë në mungesë të një qeverie të plotë. Gjatë vitit 2025 është vendosur që njëri nga parimet bazë të Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ të shkelet. Cili është ai? Njëri nga parimet bazë të Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ është përfshirja gjeografike, përfshirja e krejt Kosovës”, ka deklaruar Gashani.
Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” pritet të mbahen nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030, me Kosovën nikoqire të kësaj ngjarjeje për herë të parë. Organizimi i tyre parasheh përfshirjen e disa qyteteve të vendit, ndërsa një prej projekteve kryesore infrastrukturore është ndërtimi i Qendrës Nacionale të Notit në Prishtinë.
Përgatitjet për këtë ngjarje janë përcjellë me shqetësime rreth dinamikës së realizimit të projekteve, koordinimit institucional dhe përmbushjes së obligimeve ndaj Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).
Sveçla pranon problemet me uniformat e policëve, thotë se s’mund të ndërhyjë në prokurim
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pranuar se ka probleme me furnizimin me uniforma në Policinë e Kosovës, por ka thënë se nuk ka mandat dhe as të drejtë ligjore për të ndërhyrë në proceset e prokurimit. Ai ka sqaruar se problemet kanë të bëjnë vetëm me uniformat e policëve të rendit. Sveçla ka thënë gjithashtu se proceset e furnizimit në Policinë e Kosovës gjatë viteve të fundit kanë lënë vend për dyshime, ndërsa ka bërë të ditur se Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet lidhur me këtë çështje.
Duke folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit pas pyetjeve të deputetëve, Sveçla ka theksuar se përgjegjësia e tij është të sigurojë mbështetjen financiare dhe institucionale për Policinë, ndërsa proceset e furnizimit janë përgjegjësi e strukturave përkatëse të këtij institucioni.
“Qeveria dhe ministri sigurojnë mbështetjen financiare, ndërsa proceset e furnizimit dhe prokurimit zhvillohen nën përgjegjësinë e strukturave përkatëse të Policisë. Pra, mbështetja financiare dhe institucionale për Policinë nuk ka munguar. Por dua të jem i qartë, unë nuk jam as zyrtar e as drejtor i prokurimit, as në Ministri e as në Polici. Mandati im është të siguroj mbështetjen e nevojshme për të gjitha agjencitë ekzekutive që veprojnë në kuadër të Ministrisë së Brendshme, përfshirë Policinë. Këtë mbështetje e kam ofruar vazhdimisht. Nuk kam as mandat, as të drejtë ligjore të ndërhyj në procesin e prokurimit”, ka deklaruar Sveçla.
Sipas tij, bazuar në raportin që ka pranuar, procedurat për këtë furnizim janë iniciuar katër herë.
Sveçla ka përmendur se në vitin 2021 ishte iniciuar një procedurë prokurimi në vlerë prej 11.3 milionë eurosh, e cila ishte anuluar nga vetë Policia, pasi ofertat e pranuara nuk i kishin plotësuar kriteret.
Ndërkaq, sipas tij, në vitin 2023 ishte iniciuar një tjetër procedurë me vlerë të njëjtë, e cila, sipas tij, kishte zgjatur rreth tre vjet nga inicimi deri në nënshkrimin e kontratës, për shkak të gjashtë ankesave dhe vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
“Më 31 tetor 2024, Policia ka iniciuar procedurë emergjente të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës, e cila është anuluar më 12 dhjetor 2024 pasi operatori ekonomik ishte konsideruar i papërgjegjshëm nga Policia. Më 13 dhjetor 2024, është iniciuar një tjetër procedurë e negociuar me të njëjtin operator ekonomik, që një ditë më herët ishte konsideruar si i papërgjegjshëm. Edhe pse kontrata ishte rekomanduar për nënshkrim, si ministër nuk e kam nënshkruar për shkak të parregullsive procedurale. Në korrik të këtij viti e kam nënshkruar procedurën që u nis në vitin 2023. Por ky proces dhe disa procese të tjera për furnizim ngre pikëpyetje serioze dhe lë shumë vend për dyshime. Për të gjitha këto, IPK-ja po zhvillon hetimet”, ka thënë Sveçla, duke iu referuar edhe rekomandimit për suspendim të ish-drejtorit të prokurimit në Policinë e Kosovës më 5 nëntor.
Por deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se Sveçla është i vetmi ministër që e drejton Ministrinë për shtatë vjet dhe është e pafalshme që, sipas saj, tallet me Policinë “jo procedura emergjente, jo të negociuara”.
“O ministër, tregone të vërtetën që s’po konkurrojnë kompanitë për me ju dhanë tender njëburimor”, ka thënë ajo.
Ishte raportuar se diplomimi i policëve të rinj qe shtyrë për një javë shkaku i mungesës së uniformave. Madje, në ditën kur u mbajt është thënë se kadetët i kishin huazuar kapelat nga policët e rinj.
PDK-ja kërkon të votohet sërish Ligji aktual për Specialen, zotohet ta ndryshojë brenda dy javësh
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku ka kërkuar mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votohet rrëzimi i vetos së presidentes Justina Shiroka-Pula, për Ligjin për Specialen.
Ajo ka thënë se zotohet që të hënën PDK-ja do ta sjell nismën e re ligjore dhe brenda dy javësh do të bëjë ndryshimet e Ligjit në fjalë.
“Kërkoj që ta miratohet ligji sot dhe menjëherë të hënën të fillojmë procedurën e amendamentimit. Këtij procesi për të treguar seriozitet t’i japim dy javë kohë. Zotohem publikisht që të hënën do të sjellim nismën e re ligjore dhe brenda dy javësh do të bëjmë ndryshimet e Ligjit në fjalë”, ka deklaruar Çitaku gjatë seancës së Kuvendit.
Futet në rend dite Ligji për Specialen
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për futjen në rend dite projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Nga 84 deputetë të pranishëm, 79 kanë votuar për. Kjo është renditur si pikë e fundit e rendit të ditës.
Kërkesën për këtë e bëri deputetja e PDK-së, njëherit u.d e kryetares së kësaj partie, Vlora Çitaku.
Nagavci i bën thirrje Qeverisë që t’i mbikëqyrë çmimet
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka kërkuar nga Qeveria që të nis mbikqyrje të shtuar të çmimeve këtyre muajve.
Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, Nagavci ka thënë se puna për funksionalizimin e Ligjit për çmime tavan ka filluar andaj mbikëqyrja e tregut duhet të forcohet menjëherë në mënyrë që të veprohet me kohë kur ka shkelje nga ana e tregëtarëve.
“Ligji për çmime tavan është miratuar, puna për funksionalizimin e tij ka filluar. Mbikëqyrja e tregut tash duhet të forcohet menjëherë në mënyrë që institucionet të mund të veprojnë me kohë kur paraqiten shkelje ose kushte për masa të përkohshme. Me Ligjin kemi krijuar edhe mundësinë që në rast të destabilizimit të tregut, të ndërhyhet për mbrojtjen e qytetarëve nga shtrenjtimet abuzive të produkteve themelore nga; buka, mielli, vaji, qumështi, vezët, mishi, pemët e perimet deri te ushqimet për fëmijë, produktet e higjienës personale dhe lëndët me burim nga druri për ngrohje”, ka deklaruar Nagavci.
Nagavci ka përmendur masat që ka ndërmarrë Qeveria deri më tani për qytetarët, por ajo është shprehur se rritja e të ardhurave duhet të ruhet nga shtrenjtim i pajustifikuar i çmimeve.
“Rritja e të ardhurave duhet të ruhet edhe nga shtrenjtimi i pajustifikuar i çmimeve. Pikërisht për këtë është zhvilluar beteja për Ligjin e njohur si Ligji për çmime tavan. Ky ligj i jep mundësi shtetit që të kufizojë marzha tregtare dhe të caktojë çmim maksimal për produkte themelore në rast të abuzimeve. Duke vlerësuar punën e deritanishme dhe masat që janë ndërmarrë, i bëjmë thirrje Qeverisë që të nis mbikëqyrje të shtuar të çmimeve këtyre muajve. Të përcillen çmimet e produkteve themelore nga importi deri te shitja te konsumatori. Të kontrollohen marzhat tregtare dhe të hetohet çdo dyshim për marrëveshje mes tregtarëve që kufizojnë konkurrencën dhe sjellin shtrenjtim të pajustifikuar”, ka thënë Nagavci.
Nagavci ka shtuar se Kosova preket nga luftërat e tjera në botë, porse kjo nuk mund të përdoret si arsyetim për çdo shtrenjtim.
“Kosova nuk është palë e luftërave, por pasojat e tyre po i ndjejnë që nga viti 2022. Këtë vit rritja e çmimeve është bërë edhe më e ndjeshme për shkak të këtyre konflikteve. Krizat ndërkombëtare ndikojnë edhe në ekonominë tonë, madje shumë, por ato nuk mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim. Duhet të dihet cilat çmime rriten për shkak të kostos së furnizimit dhe cilat çmime rriten në mënyrë abuzive. Shtrenjtimi i jetesës i prek të gjithë por jo të gjitha familjet i rëndon njësoj”, ka thënë Nagavci në seancë.
Haradinaj: Vizitat e politikanëve serbë në Kosovë të trajtohen me protokoll e të monitorohen
Deputeti i Aleancës Ramush Haradinaj ka thënë se vizitat e politikaneve nga Serbia duhet të trajtohet me protokoll dhe të monitorohen në rast se gjatë këtyre vizitave ndodhin shkelje ose cenim i rendit kushtetues.
Ai në deklarimin e tij në seancën e Kuvendit ka thënë se gjatë këtyre vizitave duhet të zbatohen ligjet e Kosovës.
“Dola në këtë foltore se herën tjetër do të kërkojmë përgjegjësi ... Kur vijnë politikanët nëpër tempuj fetar e bëjnë deklaratë përçarëse nxisin urrejtje ju e dini që ajo shkakton pasoja. Unë e kuptoj që është një zinxhir i institucioneve por ju lutem mos lejoni me na u përsërit kjo njëherë tjetër”, është shprehur Haradinaj.