Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka ngritur shqetësimin për votimin e mundshëm të Ligjit për ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili pritet të ndodhë në seancën e së premtes.
Në një njoftim në Facebook, BE-ja ka thënë se ndryshimet në ligj ngrenë shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.
“Ndryshimet ngrisin shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, në veçanti pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive. Ndryshimet gjithashtu ngrisin shqetësime lidhur me kushtetutshmërinë e tyre”, thuhet në njoftim.
BE-ja tutje ka deklaruar se që nga kthimi i ligjit për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës, janë angazhuar aktivisht për t'ua përcjellë shqetësimet dhe pritshmëritë autoriteteve të Kosovës.
Kjo, sipas BE-së, përfshin nevojën për konsultime paraprake përpara çdo miratimi të ligjit, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.
Derisa e kanë shpërndarë reagimin, Ambasada Gjermane ka deklaruar se i mbështetë plotësisht shqetësimet e Zyrës së BE-së në Kosovë lidhur me votimin e mundshëm të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Ambasada Gjermane pajtohet plotësisht me shqetësimet e Bashkimit Evropian në Kosovë lidhur me mundësinë e votimit në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, thueht në njoftimin e Ambasadës.
Edhe Ambasada e Italisë në Kosovë ka ngritur shqetësimin për votimin e mundshëm të Ligjit për Specialen në seancën e nesërme.
“Ndryshimet e propozuara ngrehin shqetësime serioze lidhur me zotimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, veçanërisht pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe sigurimin e llogaridhënies efektive. Ndryshimet gjithashtu ngrehin shqetësime sa i përket kushtetutshmërisë së tyre”, thuhet në reagim.
Ambasada potencon se duhen konsultime paraprake para çdo miratimi, në përputhje me zotimet ndërkombëtare të Kosovës.
“Na vjen keq që këto konsultime ende nuk janë zhvilluar. Ligji aktual nuk do t’u shërbejë as interesave të Kosovës dhe as interesave të individëve që së fundmi janë dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet tutje në reagim.
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, të martën e javës së kaluar gjatë prezantimit të raportit të progresit ka deklaruar se Kosova edhe me miratimin e ndryshimeve ligjore për Gjykatën Speciale ka paraqitur pengesa në procesin e saj të integrimeve evropiane derisa ka potencuar se pret që Kosova t’i përmbushë obligimet e saja edhe rreth kësaj çështjeje. Ajo ka thënë se për këtë ligj janë në bisedime me Qeverinë e Kosovës.
Ligji për Specialen ka hyrë në rendin e ditës së seancës së sotme me kërkesë të Grupit Parlamentar të PDK-së.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku ka kërkuar mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votohet rrëzimi i vetos së presidentes Justina Shiroka-Pula, për Ligjin për Specialen.
Ajo ka thënë se zotohet që të hënën PDK-ja do ta sjell nismën e re ligjore dhe brenda dy javësh do të bëjë ndryshimet e Ligjit në fjalë.
“Kërkoj që ta miratohet ligji sot dhe menjëherë të hënën të fillojmë procedurën e amendamentimit. Këtij procesi për të treguar seriozitet t’i japim dy javë kohë. Zotohem publikisht që të hënën do të sjellim nismën e re ligjore dhe brenda dy javësh do të bëjmë ndryshimet e Ligjit në fjalë”, ka deklaruar Çitaku gjatë seancës së Kuvendit.
Meqë seanca e sotme nuk ka vazhduar, pikat e mbetura do të shqyrtohen në seancën e nesërme.
Britania: Kosova të mos ngutet me Ligjin për Specialen, s’i shërben interesave të saj
Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka deklaruar se ndryshimet e propozuara në Ligjin për Specialen nuk do t’i shërbejnë interesave thelbësore të Kosovës dhe do t’i dëmtojnë marrëdhëniet e saj me partnerët ndërkombëtarë.
Në një reagim publikuar në faqen e tyre zyrtare në Facebook, Ambasada ka shkruar se qëllimet e Kosovës mund të arrihen më së miri duke u siguruar të respektojë zotimet e saj ndërkombëtare, si dhe përkushtimin ndaj llogaridhënies, drejtësisë dhe sundimit të ligjit.
Britania ka inkurajuar Kuvendin të marrë kohen e nevojshme për konsultime të mëtejme si brenda vendit ashtu edhe me BE-në dhe aleatët ndërkombëtarë.
“Kemi marrë plotësisht parasysh reagimet dhe pakënaqësitë e shumta lidhur me aktgjykimet e fundit. Besojmë se qëllimet e Kosovës mund të arrihen më së miri duke siguruar që ajo të vazhdojë të respektojë zotimet e saj ndërkombëtare, si dhe përkushtimin ndaj llogaridhënies, drejtësisë dhe sundimit të ligjit. E inkurajojmë Kuvendin që të marrë kohën e nevojshme për konsultime të mëtejshme, si brenda vendit, ashtu edhe me Bashkimin Evropian dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje më të mire”, thuhet në njoftim.