Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mirëpritur angazhimin e Shteteve të Bashkuara për përfshirjen e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në raundin e ardhshëm të negociatave me Rusinë.
Pas takimit me të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Uitkoff, Zelensky theksoi se Evropa duhet të ketë zërin e saj në vendimet që lidhen me të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë e kontinentit.
Kushner deklaroi se pala amerikane ka diskutuar me presidentin rus Vladimir Putin rëndësinë e përfshirjes së evropianëve në tryezën e negociatave dhe se Moska është e gatshme ta provojë këtë format. Megjithatë, Putin nuk ka ndryshuar qëndrimin për luftën dhe kërkesat territoriale të Rusisë, ndërsa bisedimet e fundit në Abu Dhabi nuk sollën përparim drejt një marrëveshjeje.
Një zhvillim pozitiv ishte dakordësimi mes Rusisë dhe Ukrainës për një tjetër shkëmbim të burgosurish, që sipas palës amerikane pritet të rikthejë mijëra persona pranë familjeve të tyre. Ndërkohë, shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, shprehu skepticizëm për mundësinë e një marrëveshjeje të afërt, duke theksuar rëndësinë e rolit të Evropës në proces.
Në një tjetër zhvillim, Zelensky paralajmëroi për kufizimet në shërbimet satelitore Starlink dhe Starshield të kompanisë SpaceX, të cilat po vështirësojnë komunikimin dhe aftësinë e Ukrainës për të interceptuar dronët rusë.
Rreth një e pesta e territorit ukrainas vijon të jetë nën kontrollin e forcave ruse, ndërsa shqetësimet për sigurinë evropiane mbeten në rritje.
