E premte, 13 Nëntor 2026 7 PA 5 Live deri në 09:00 Në vijim ora 09:00: Mes'dritë Live Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Kronikë

Esmeralda Hasani në krye të SHISH pa karrierë të gjatë në institucion, SPAK heton familjarët e Vlora Hysenit në Gjermani

Esmeralda Hasani bëhet gruaja e dytë që merr drejtimin e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH). Siç raporton gazetari Esido Barkaj, në 7pa5 në Vizion Plus, Hasani ka qenë pjesë e institucionit gjatë tre viteve të fundit, ku ka mbajtur pozicionin e drejtoreshës së një departamenti. Emërimi i saj është bërë gjatë drejtimit të Vlora Hysenit dhe nuk vjen pas një karriere të gjatë në strukturat e shërbimit informativ.

Një nga sfidat kryesore të drejtueses së re pritet të jetë ristrukturimi i institucionit dhe një auditim i brendshëm për të verifikuar nëse ka pasur rrjedhje të informacioneve sekrete dhe dokumenteve sensitive. Kontrolli synon të evidentojë edhe dëmin e mundshëm të shkaktuar gjatë drejtimit të mëparshëm.

Ndërkohë, SPAK po thellon hetimet ndaj Vlora Hysenit. Në fokus janë edhe tre transaksione të kryera gjatë muajve shkurt dhe mars 2024 nga AKSHI drejt dy kompanive gjermane, ku punonin vëllezërit e saj. Shuma totale arrin në 950 mijë euro, nga të cilat 500 mijë euro janë transferuar, ndërsa pagesa prej 450 mijë eurosh është anuluar.

Sipas raportimit, Prokuroria e Posaçme pritet të bashkëpunojë me autoritetet gjermane për hetimin pasuror të familjarëve të Hysenit. Gjithashtu, gjatë kontrolleve në banesën e biznesmenit Ergys Agasi janë gjetur dokumente dhe informacione sekrete të SHISH-it, të cilat dyshohet se mund të jenë përdorur për të ushtruar presion ndaj grupeve kriminale rivale.

Hetimet mund të sjellin rëndim të pozitave ligjore të ish-drejtoreshës, ndërsa një nga pistat që po shqyrtohet lidhet edhe me dyshimet për përfshirje në grup të strukturuar kriminal. Tashmë, mbetet për t’u parë nëse drejtimi i ri do të sjellë ndryshime të thella në strukturat e SHISH-it.

/vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.