Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka reaguar në rrjetet sociale pas fitores 2-0 të Shqipërisë ndaj Finlandës, duke shprehur kënaqësinë për suksesin e kuqezinjve dhe atmosferën e krijuar në stadium.
Përmes një postimi, Duka e ka cilësuar këtë mbrëmje si të veçantë, duke vënë në pah edhe mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozëve shqiptarë, me afro 22 mijë të pranishëm në shkallët e stadiumit.
“Kjo mbrëmje nuk mund të ishte më e bukur se kaq! As fitorja nuk mund të kishte shije më të veçantë sesa sonte, në një stadium të mbushur me gati 22 mijë tifozë shqiptarë.
Urime çuna, urime stafit për këtë sukses! Edhe një sforco të dielën kundër Bjellorusisë, për ta mbyllur këtë rrugëtim ashtu siç duhet dhe për të festuar së bashku!”, shkruan kreu i FSHF-së.
Duka ka përgëzuar futbollistët dhe stafin teknik për triumfin ndaj Finlandës, ndërsa mesazhin e tij e ka mbyllur me një thirrje për përqendrim maksimal në sfidën e së dielës ndaj Bjellorusisë.