Bllokohet Outlook në 74 vende të botës, Microsoft nis rikthimin e shërbimeve
Një ndërprerje masive e shërbimeve të Microsoft shkaktoi probleme në 74 vende dhe territore të botës, duke lënë mijëra përdorues pa akses në postën elektronike Outlook, platformën Teams dhe asistentin me inteligjencë artificiale Copilot. Problemi nisi të enjten dhe vijoi për disa orë, duke prekur biznese, institucione dhe agjenci qeveritare.
Fillimisht, Microsoft bëri të ditur se ndërprerja lidhej me ngarkesën e lartë në infrastrukturën e saj, por më vonë sqaroi se disa serverë ishin bërë papritur të padisponueshëm, duke rënduar funksionimin e pjesës tjetër të sistemit. Kompania theksoi se nuk kishte konstatuar shenja të ndonjë sulmi kibernetik apo aktiviteti keqdashës që mund të kishte shkaktuar problemin.
Sipas të dhënave të platformës Downdetector, raportimet për probleme me Outlook arritën në afro 130 mijë në SHBA, ndërsa ndërprerje u evidentuan edhe në Evropë, Azi, Afrikë dhe Amerikë. Përdoruesit raportuan vështirësi në hapjen e postës elektronike, dërgimin dhe marrjen e mesazheve, si dhe në përdorimin e shërbimeve të tjera të Microsoft 365.
Ndërprerja zgjati më shumë se nëntë orë, ndërsa përpjekjet e para të kompanisë për rikthimin e shërbimeve nuk dhanë rezultatet e pritshme. Disa serverë që u rikthyen në funksion dolën sërish jashtë shërbimit pasi rifilloi trafiku i përdoruesve. Microsoft ndërpreu përkohësisht përditësimet, zhvendosi trafikun drejt infrastrukturave alternative dhe nisi rinisjen e serverëve të prekur.
Gjatë së premtes kompania njoftoi se kishte regjistruar rikuperim të pjesshëm, pasi disa serverë të rikthyer në funksion rezultuan të qëndrueshëm. Shërbimi Teams u rikthye në Amerikën e Veriut, megjithëse disa përdorues vijuan të raportonin probleme me lidhjen. Rikuperimi i Outlook dhe shërbimeve të tjera pritej të bëhej gradualisht, ndërsa Microsoft nuk kishte dhënë ende një afat të saktë për normalizimin e plotë në të gjitha rajonet.
Problemi preku edhe shërbime të inteligjencës artificiale të OpenAI dhe Anthropic, për shkak të ndërprerjeve në lidhjet me Microsoft 365. Kompania kërkoi ndjesë për vështirësitë e shkaktuara dhe deklaroi se po vijonte punën për rikthimin e plotë të infrastrukturës.
/vizionplus.tv




