Bashkimi Europian po përgatit një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, si dhe masa financiare për mbështetjen e Ukrainës gjatë vitit 2027. Lajmi është bërë i ditur nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila deklaroi se propozimet do të paraqiten përpara samitit të ardhshëm të Këshillit Europian, që do të zhvillohet më 26 dhe 27 nëntor, raporton Reuters.
Sipas von der Leyen, Komisioni Europian po punon gjithashtu për përcaktimin e mënyrave të financimit të nevojave ekonomike të Ukrainës për vitin e ardhshëm.
Paketa e re do të jetë e 22-ta që Bashkimi Europian vendos ndaj Moskës që nga nisja e pushtimit të plotë rus të Ukrainës. Megjithatë, detajet përfundimtare të masave janë ende në diskutim mes vendeve anëtare.
Sipas diplomatëve europianë, sanksionet e reja pritet të përfshijnë kufizime shtesë ndaj bankave ruse, kriptomonedhave dhe platformave të tregtimit të tyre. Në fokus do të jetë edhe mbyllja e hapësirave që lejojnë shmangien e sanksioneve përmes vendeve të treta.
Një tjetër masë që po shqyrtohet është ndalimi i sportistëve rusë dhe bjellorusë për të marrë pjesë në kompeticione ndërkombëtare që zhvillohen në territorin e Bashkimit Europian.












