Korçë/ Era e fortë lë pa energji elektrike 6 fshatra në Lekas, OSHEE angazhon grupet e punës për riparimin e defekteve
Era e fortë që ka përfshirë juglindjen gjatë 24 orëve të fundit ka shkaktuar dëmtime në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, duke lënë pa furnizim me energji gjashtë fshatra në Njësinë Administrative Lekas, në bashkinë e Korçës.
Fshatrat Tudas, Lavdar, Bozdovec, Mazrekë, Pula dhe Peshtan vijojnë të jenë pa energji elektrike për shkak të dëmtimeve në linjat e tensionit të ulët. Ndërkohë, në fshatin Lekas, ku furnizimi ishte ndërprerë deri në orët e mëngjesit, energjia është rikthyer.
Për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike, OSHEE ka angazhuar dy grupe pune në terren. Ndërhyrja e punonjësve po has vështirësi për shkak të terrenit të thepisur malor dhe kushteve të pafavorshme atmosferike.
Probleme me furnizimin me energji elektrike janë regjistruar edhe në Voskopojë dhe fshatrat përreth, ku janë shënuar ndërprerje të herëpashershme si pasojë e erës së fortë.
Në fshatrat e tjera të juglindjes nuk raportohen probleme me furnizimin me energji elektrike.




