Policia greke ka arrestuar trajnerin e peshëngritjes Odise Dhima, i cili është vëllai i kampionit olimpik Pirro Dhima.
Sipas raportimeve të mediave greke 58-vjeçari akuzohet për furnizimin dhe administrimin e substancave të ndaluara dopingu te sportistët, përfshirë edhe një të mitur.
Sipas autoriteteve greke, Odise Dhima u vu në pranga mëngjesin e së enjtes në një zonë të Atikës, pas një hetimi disa mujor të zhvilluar nga policia, në bashkëpunim me Organizatën Greke Kundër Dopingut (EOKAN) dhe Organizatën Kombëtare të Barnave (EOF).
Sipas hetimeve, 58-vjeçari dyshohet se ka shfrytëzuar pozicionin e tij si trajner për të furnizuar dhe administruar substanca të ndaluara te sportistët që prej prillit të vitit 2024.
Një nga rastet më të rënda të hetimit lidhet me një sportist të mitur, djalin e tij, të cilit dyshohet se i është dhënë një substancë e ndaluar gjatë një gare sportive.
Në analizat e urinës së sportistit u zbulua prania e oksandrolonit, një substancë e përfshirë në listën e ndaluar të Agjencisë Botërore Anti-Doping (WADA).
Për këtë rast, trajnerit i ishte dhënë më herët një pezullim prej 12 vitesh, ndërsa sportisti ishte pezulluar për 10 muaj.
Gjatë kontrolleve në banesën e të dyshuarit dhe në ambientet e disa strukturave sportive në Atikë, policia sekuestroi 871 njësi me preparate farmaceutike dhe substanca dopingu, në formë tabletash dhe ampulash.
Gjithashtu, u sekuestruan 17 dokumente sportive të sportistëve, shënime të shkruara me dorë, një telefon celular dhe 15 mijë euro para në dorë.
Në përfundim të hetimeve, ndaj 58-vjeçarit është ngritur dosje penale për shkelje të legjislacionit mbi sportin dhe qarkullimin e barnave të dëmshme.












