Pas Merkel dhe Macron, Rama merr çmimin prestigjioz evropian
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet të nderohet me çmimin “Harav Lord Jakobovits”, një vlerësim prestigjioz i akorduar nga Konferenca e Rabinëve Evropianë (Conference of European Rabbis – CER).
Vizion Plus mëson se ceremonia e ndarjes së çmimit do të mbahet të hënën, më 16 nëntor, në Bruksel.
Bëhet fjalë për një çmim nderi dhe mirënjohjeje institucionale, i cili mban emrin e ish-kryerabinit të Mbretërisë së Bashkuar, Lord Jakobovits. Çmimi u themelua në vitin 2011, me qëllim vlerësimin e personaliteteve publike, liderëve politikë dhe figurave që kontribuojnë në mbrojtjen e lirisë fetare, mbështetjen e jetës hebraike në Evropë dhe luftën kundër antisemitizmit.
Ndër personalitetet që janë nderuar ndër vite me këtë çmim është edhe presidenti francez Emmanuel Macron, i cili e mori vlerësimin në vitin 2023.
Në vitin 2018, çmimi iu akordua Antonio Tajanit, ndërsa në vitin 2016 u nderua Mbreti Felipe VI i Spanjës. Lista e personaliteteve të vlerësuara përfshin gjithashtu ish-kryeministrin francez Manuel Valls, në vitin 2015, dhe ish-kancelaren gjermane Angela Merkel, në vitin 2013.
Përmes këtij vlerësimi, Konferenca e Rabinëve Evropianë synon të nxjerrë në pah kontributin e figurave publike në promovimin e bashkëjetesës fetare, dialogut ndërfetar dhe mbrojtjen e komuniteteve hebraike në kontinentin evropian.




