1818 dosje legalizimi të papërfunduara në Lezhë, mungojnë adresat e sakta! Kadastra publikon listën, thirrje qytetarëve

13/11/2026 10:49

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka publikuar një listë me 1818 dosje legalizimi në Bashkinë Lezhë, për të cilat procedurat nuk kanë përfunduar për shkak të pamundësisë për të vendosur kontakt me qytetarët që kanë kryer vetëdeklarimet në vitet 2005–2006.

ASHK u bën thirrje qytetarëve që gjejnë emrin e tyre në listën e publikuar të paraqiten pranë njësive administrative përkatëse ose në zyrat e Drejtorisë Vendore të Kadastrës në Lezhë, për të përditësuar të dhënat e kontaktit dhe për të vijuar procedurat e legalizimit.

Sipas Kadastrës, në formularët e vetëdeklarimit, adresat e ndërtimeve informale janë shënuar vetëm me emrin e zonës, pa të dhëna të mjaftueshme për përcaktimin e vendndodhjes së saktë të objekteve.

Për këtë arsye, institucioni e ka të nevojshëm komunikimin me qytetarët, si për identifikimin e ndërtimeve, ashtu edhe për caktimin e datës së verifikimit në terren.

ASHK sqaron se distancat e konsiderueshme mes objekteve e bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin me vetëdeklaruesit, për të organizuar verifikimet dhe për të përshpejtuar përfundimin e dosjeve.

Lista me emrat e qytetarëve është publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Ndërkohë, sipas të dhënave të ASHK-së, deri në tetor të vitit 2026, në Bashkinë Lezhë janë lëshuar 1487 vendime legalizimi, sipas Kadastres, është një numër ndjeshëm më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025

Top Channel