Samiti i NATO-s që Shqipëria pritej të organizonte në vitin 2027 nuk do të mbahet vitin e ardhshëm. Pas muajsh pasigurie dhe raportimesh në mediat ndërkombëtare, kryeministri Edi Rama e konfirmoi këtë të enjten në Dublin, duke deklaruar se nuk ka ende një qëndrim të përbashkët mes vendeve anëtare për datën e takimit. Sipas tij, nëse samiti zhvillohet në vitin 2028, ai do të mbahet në Tiranë.
Pasiguria për organizimin e samitit në Shqipëri ishte bërë publike fillimisht nga Reuters, i cili që në qershor raportoi se planet për mbajtjen e takimit në vitin 2027 ishin vënë në pikëpyetje për shkak të kundërshtimeve nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe pakënaqësisë së disa vendeve anëtare për nivelin e ulët të shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen. Reuters iu referua një diplomati të NATO-s, një zyrtari europian dhe tre personave të njohur me diskutimet brenda Aleancës.
Më 12 nëntor, Politico publikoi një tjetër raportim, duke cituar tre diplomatë të NATO-s, të cilët folën në kushte anonimiteti. Sipas tyre, organizimi i samitit në Shqipëri në vitin 2027 mbetet i pamundur, pasi aleatët nuk kanë rifilluar zyrtarisht diskutimet për një takim të tillë vitin e ardhshëm.
Diplomatët renditën disa arsye për këtë qëndrim: shpenzimet e ulëta të Shqipërisë për mbrojtjen në raport me vendet e tjera anëtare, nevoja që aleatët të përqendrohen te përmbushja e angazhimeve të reja për rritjen e buxheteve ushtarake, pasiguria gjeopolitike dhe kostot e larta të organizimit të një samiti të nivelit të tillë. Një tjetër shqetësim, sipas tyre, është rreziku që një takim i liderëve të NATO-s t’i japë presidentit amerikan Donald Trump një tjetër mundësi për të kritikuar Aleancën.
Në intervistën për Politico, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Ermal Nufi, tha se Shqipëria ishte e gatshme të priste samitin edhe në një datë të shtyrë, madje përmendi edhe mundësinë e një takimi online. “Një samit mund të zhvillohet edhe online”, citohet të ketë thënë ai, duke shtuar se qeveria kishte ngritur një grup pune për përgatitjet.
Pas publikimit të artikullit, Nufi reagoi duke pretenduar se deklarata e tij ishte nxjerrë jashtë kontekstit. Ministri sqaroi se referenca për një takim virtual kishte të bënte vetëm me mënyrën se si mund të merrej vendimi për datën e samitit nga drejtuesit e vendeve anëtare dhe jo me zhvillimin online të vetë samitit. Ai mohoi që Shqipëria të kishte propozuar shtyrjen ose organizimin virtual të takimit, duke këmbëngulur se përgatitjet vijonin për mbajtjen e tij në Tiranë.
Megjithatë, deklarata e Ramës në Dublin më 12 nëntor e bëri të qartë se samiti nuk do të zhvillohet në vitin 2027. “Nuk ka ende një qëndrim të përbashkët se kur do të mbahet samiti, me siguri jo në vitin 2027. Dhe në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të mbahet në Tiranë”, tha kryeministri.
Edhe Reuters dhe Al Jazeera, në raportimet e tyre të publikuara pas deklaratës së Ramës, konfirmuan se takimi nuk do të mbahet në Shqipëri vitin e ardhshëm. Al Jazeera vuri në dukje gjithashtu se NATO po shqyrton mundësinë e braktisjes së praktikës së samiteve të përvitshme, çka mund të jetë një tjetër faktor në përcaktimin e kalendarit të ardhshëm të Aleancës.
Ndërkohë, një zyrtar i NATO-s, i cituar nga Reuters dhe Al Jazeera, konfirmoi se samiti i ardhshëm i Aleancës do të mbahet në Shqipëri, por data ende nuk është vendosur. Kjo do të thotë se Shqipëria nuk është përjashtuar si vend pritës, por organizimi i takimit është shtyrë përtej vitit 2027, me vitin 2028 si mundësi të përmendur nga kryeministri Rama. a.b
Burimet: Politico, Reuters, Al Jazeera; deklaratat e ministrit Ermal Nufi dhe kryeministrit Edi Rama.




