Hita në Itali, strategji e përbashkët me Antimafian për goditjen e grupeve kriminale shqiptaro-italiane

13 Nëntor 2026 | 10:58

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një takim në Itali me drejtuesit e lartë të Policisë Kriminale dhe Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA), ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit për goditjen e grupeve kriminale që veprojnë në të dyja vendet.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, Hita dhe delegacioni që e shoqëronte u pritën në Drejtorinë Qendrore të Policisë Kriminale nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Publike dhe njëkohësisht Drejtori Qendror i Policisë Kriminale, prefekti Raffaele Grassi, si dhe nga drejtori i Drejtorisë Hetimore Antimafia, gjenerali Nicola Massimo Masciulli.

Në takim morën pjesë edhe drejtues të strukturave të rëndësishme të policisë italiane, përfshirë Drejtoreshën Qendrore të Shërbimeve Antidrogë, Lorena Di Galante, Drejtorin e Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Policor, Lorenzo Bucossi, dhe Drejtorin e Shërbimit Qendror Operacional të Policisë, Marco Calì.

Diskutimet u përqendruan te intensifikimi i hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta për identifikimin dhe goditjen e rrjeteve kriminale që shtrijnë aktivitetin e tyre në Shqipëri dhe Itali.

Një ndër prioritetet e përcaktuara është lufta kundër trafikut të narkotikëve, trafiqeve të tjera të paligjshme dhe krimeve kibernetike, si dhe lokalizimi dhe kapja e personave të shpallur në kërkim nga drejtësia e të dy vendeve.

Palët diskutuan gjithashtu për shkëmbimin në kohë reale të informacioneve dhe inteligjencës policore, koordinimin e operacioneve dhe goditjen e burimeve financiare të organizatave kriminale.

Gjatë takimit, Skënder Hita shprehu angazhimin e Policisë së Shtetit për të thelluar bashkëpunimin me autoritetet italiane, përmes rritjes së numrit dhe kapaciteteve të skuadrave të përbashkëta hetimore. Synimi është zhvillimi i hetimeve më të thelluara dhe organizimi i operacioneve të koordinuara, për të goditur strukturat kriminale në të gjithë shtrirjen e tyre, pavarësisht kufijve shtetërorë.

Nga ana e tyre, prefekti Raffaele Grassi dhe gjenerali Nicola Massimo Masciulli vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm me Policinë shqiptare, duke veçuar punën e Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale dhe Interforcës në ambasadën italiane në Shqipëri.

Drejtuesit italianë shprehën gatishmërinë për ta çuar bashkëpunimin në një nivel të ri, përmes hartimit të një strategjie të përbashkët që synon rezultate konkrete kundër krimit të organizuar dhe kriminalitetit ndërkufitar.

Takimi vjen në kuadër të përpjekjeve për të forcuar koordinimin mes strukturave ligjzbatuese shqiptare dhe italiane, në një kohë kur rrjetet kriminale operojnë përtej kufijve dhe kërkojnë hetime e operacione të përbashkëta për t’u goditur.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

PS mbledh Asamblenë! Çfarë vendimesh do të marrë Rama? Gazetarja zbardh agjendën

Partia Socialiste do të mbledhë nesër Asamblenë Kombëtare në Gjirin e Lalzit, në një moment të tensionuar politik, pas dy protestave që kanë vënë në...
10:51 | 13/11/2026

Arrestohet trajneri grek i peshëngritjes, vëllai i Pirro Dhimës! Akuzohet për doping ndaj sportistëve, ia dha edhe dajlit të tij

Policia greke ka arrestuar 58-vjeçarin Odisea Dhima, vëllai i ish-kampionit të peshëngritjes Pirro Dhima. Ai akuzohet se furnizonte sportistët me substanca të ndaluara dopingu. Mes...
10:23 | 13/11/2026

Eurostat: Bien me 47% kërkesat për azil të shqiptarëve në vendet e BE-së

Kërkesat e shtetasve shqiptarë për azil në vendet e Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen kanë rënë me 47% gjatë dy viteve të fundit. Franca dhe...
19:20 | 11/11/2026