Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në Greqi vëllai i Pirro Dhimës, dyshohet se furnizonte sportistët me substanca dopingu



Vëllai i kampionit olimpik të peshëngritjes, Pirro Dhima, është arrestuar në Greqi, nën dyshimet për furnizimin dhe administrimin e substancave të ndaluara te sportistët.

Sipas mediave greke, bëhet fjalë për 58-vjeçarin Odise Dhima, i cili u arrestua mëngjesin e së enjtes, 12 nëntor, në një zonë të Atikës. Ai akuzohet se, në cilësinë e trajnerit të peshëngritjes, siguronte dhe u jepte sportistëve substanca dopingu që prej prillit të vitit 2024.

Hetimi disa mujor, i zhvilluar në bashkëpunim me Organizatën Greke Kundër Dopingut dhe Organizatën Kombëtare të Barnave, zbuloi edhe një rast të administrimit të një substance të ndaluar te një sportist i mitur gjatë një gare. Sipas raportimit të televizionit publik grek ERT, bëhet fjalë për djalin e mitur të 58-vjeçarit, në analizat e të cilit ishte konstatuar prania e oksandrolonit, një substancë e përfshirë në listën e ndaluar të Agjencisë Botërore Antidoping (WADA). Për këtë rast, trajneri dhe sportisti ishin ndëshkuar më herët me pezullim.

Gjatë kontrolleve në banesën e të arrestuarit dhe në ambiente sportive në Atikë, policia sekuestroi 871 tableta dhe ampula me preparate të paligjshme dhe substanca dopingu, 17 karta sportistësh, shënime personale, një telefon celular dhe 15 mijë euro.

Sipas autoriteteve greke, preparatet e sekuestruara nuk janë të miratuara për tregun vendas dhe konsiderohen të dëmshme për shëndetin e përdoruesve.

58-vjeçari është dërguar përpara autoriteteve të prokurorisë, ndërsa hetimet vijojnë për shkelje të legjislacionit që lidhet me sportin dhe barnat e dëmshme. Në kuadër të të njëjtit hetim është arrestuar edhe një punonjës aktiv i zjarrfikëses.