Lajme

Labirinti i borxheve të “ONE Albania”/ Nga ultimatumi për të paguar 10 mijë lekë te guaskat e Qipros dhe fijet serbe, pengu mbi aksionet dhe rrjeti i mikrokredive

…Qindra qytetarë u telefonuan ose morën njoftime nga dy agjenci të jashtme arkëtimi borxhesh: “ODMC Albania”, emri tregtar me të cilin vepron shoqëria “ODM Collections”, dhe “D&A Fin Partner”. Shumat e kërkuara nisnin nga njëzet mijë lekë për kontrata të pretenduara të pambyllura ose kamatëvonesa që rridhnin dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet më parë, nga koha kur operatorët quheshin ende “AMC”, “Telekom Albania” apo “ALBtelecom”.

Një hulumtim i Shqip.com në regjistrat tregtarë të shtatë shteteve zbulon se kush fshihet në katin e shtatë të selisë së operatorit celular në Tiranë, pse aksionet e shoqërisë u lanë peng dymbëdhjetë ditë pas zgjedhjeve në Hungari dhe si vepron zinxhiri vendas i arkëtimit të detyrimeve.

Dy dyert në katin e shtatë të “Square 21”
Në ditët e para të nëntorit 2026, dhjetëra sipërmarrje shqiptare që paguajnë çdo muaj mbi pesëmbëdhjetë mijë lekë për shërbimet e telefonisë dhe të internetit pranë shoqërisë “ONE Albania” morën një njoftim të papritur. Ndonëse ishin pajtimtarë aktivë me fatura mujore të shlyera rregullisht, atyre iu kërkua të derdhnin brenda dhjetë ditësh shuma prej rreth një mijë lekësh — afro dhjetë euro — për çdo numër kontrate; përndryshe, çështja do të kalonte në gjykatë dhe në përmbarim privat. Në po atë javë, qindra qytetarë u telefonuan ose morën njoftime nga dy agjenci të jashtme arkëtimi borxhesh: “ODMC Albania”, emri tregtar me të cilin vepron shoqëria “ODM Collections”, dhe “D&A Fin Partner”. Shumat e kërkuara nisnin nga njëzet mijë lekë për kontrata të pretenduara të pambyllura ose kamatëvonesa që rridhnin dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet më parë, nga koha kur operatorët quheshin ende “AMC”, “Telekom Albania” apo “ALBtelecom”.

Shqetësimi publik u ngrit më 4 dhe 5 nëntor 2026 nga Qendra e Shërbimeve Ligjore Evropiane (CELS), një organizatë për ndihmë juridike në Tiranë. Sipas juristëve të saj, rreziku i vërtetë nuk qëndronte te dhjetë eurot e mbetura nëpër kartela të vjetra, por te mekanizmi ligjor që vihet në lëvizje pas mbarimit të afatit dhjetëditor. Sapo dosja kalon nga agjencia e arkëtimit të borxhit te studioja e avokatisë dhe më tej te përmbaruesi gjyqësor privat, detyrimi fillestar rëndohet me tarifa përfaqësimi, taksa gjyqësore dhe shpenzime përmbarimore që e shumëfishojnë faturën dhe çojnë në bllokimin e llogarive bankare. Për më tepër, sipas Kodit Civil, çdo pagesë qoftë edhe simbolike apo nënshkrim marrëveshjeje nga pajtimtari i trysnuar e ndërpret afatin e parashkrimit dhe përtërin ligjërisht një detyrim të shuar prej më shumë se një dhjetëvjeçari.

Praktikat e njoftimit të pajtimtarëve nga “ONE Albania” ishin ndëshkuar edhe më herët nga rregullatori shtetëror. Më 6 nëntor 2023, Këshilli Drejtues i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) e gjobiti operatorin me dhjetë milionë lekë[1], pasi inspektimi zyrtar vërtetoi se shoqëria u kishte bllokuar thirrjet dalëse pajtimtarëve pa respektuar afatin ligjor prej pesëmbëdhjetë ditësh paralajmërim paraprak, ndërkohë që vijonte t’u faturonte tarifën mujore të pajtimit, raporton Shqip.com.

Lindja binjake në QKB dhe zhvendosja nën të njëjtën çati me operatorin
Kur më 8 nëntor 2026 shtypi në Tiranë raportoi për fushatën e arkëtimeve, vëmendja u përqendrua te fakti se “ONE Albania” kishte kontraktuar dy agjenci të jashtme, njërën me prejardhje nga rajoni dhe tjetrën vendase. Mirëpo shqyrtimi i dosjeve historike në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) dëshmon se agjencia e huaj nuk është një palë e largët kontraktore: ajo dhe studioja ligjore që harton paditë kundër pajtimtarëve shqiptarë u themeluan në të njëjtën orë dhe sot ushtrojnë veprimtarinë brenda së njëjtës godinë ku ndodhet vetë selia qendrore e “ONE Albania”.

Më 2 mars 2023 — gjashtëdhjetë e dy ditë pasi “ONE Albania” kishte përmbyllur përthithjen e “ALBtelecom-it” nën pronësinë e grupit hungarez “4iG” — juristja Magdhalini Lena paraqiti në QKB dokumentet për themelimin e dy shoqërive njëherësh[2]. E para ishte agjencia e mbledhjes dhe e blerjes së borxheve “ODM Collections”, me kapital themeltar njëqind mijë lekë dhe ortak të vetëm shoqërinë e Beogradit “ODM Collections doo Beograd”. Vetëm tre numra protokolli më pas u regjistrua studioja e avokatisë “VP Legal”, me kapital njëqind lekë, ku tetëdhjetë për qind të kuotave i zotëronte shoqëria e Beogradit “VP Legal doo Beograd-Savski Venac” dhe njëzet për qind vetë Magdhalini Lena.

Të dyja shoqëritë deklaruan të njëjtën administratore, të njëjtin numër telefoni celular, të njëjtën adresë fillestare të postës elektronike dhe të njëjtën zyrë nr. 74 në katin e shtatë të kullës “Sky Tower” në Tiranë. Prej asaj dite, agjencia që telefonon debitorët dhe zyra ligjore që kopsit dosjet gjyqësore kanë lëvizur si hije e njëra-tjetrës: në nëntor 2023 u zhvendosën bashkë në katin e shtatë të “Qendrës Globe”, ndërsa më 27 janar 2025, me dy vendime të nënshkruara në po atë ditë, u vendosën të dyja në Rrugën e Kavajës, në Kompleksin “Arlis Square 21”, Shkalla 1, Kati 7[3].

Faksimile nga ekstrakti historik i shoqërisë “ODM Collections” në Qendrën Kombëtare të Biznesit: selia qendrore ndodhet në Kompleksin “Arlis Square 21”, Shkalla 1, Kati 7 — në po të njëjtën godinë ku mban selinë edhe “ONE Albania”.

Odm Collections Qkb

Pikërisht në kompleksin “Square 21” ndodhet që prej 30 dhjetorit 2022 selia qendrore e vetë shoqërisë “ONE Albania”. Kur një qytetar merr sot një ultimatum dhjetëditor nga “ODMC Albania” dhe përballet me përfaqësimin ligjor të “VP Legal”, operatori telefonik, agjencia e arkëtimit dhe zyra e avokatisë veprojnë të tria nën të njëjtën çati. Vetë kompleksi është ndërtuar dhe administrohet nga shoqëritë “Arlis – Ndërtim” dhe “Arlis Administrim” të sipërmarrësit Armand Lilo; në arkivat e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), shoqëria ndërtuese e këtij kompleksi është shfaqur si në hetimin pasuror të dosjes “Metamorfoza” — ku u sekuestruan kontrata apartamentesh e njësish tregtare me vlerë mbi një milion euro, të lidhura me rrethin familjar të ish-shefit të Forcave Operacionale, Oltion Bistri — ashtu edhe në një kallëzim mbi përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

Fleta e bardhë në Tiranë dhe gjurma që të çon në vilën e Beogradit
Ligji shqiptar për Regjistrin e Pronarëve Përfitues (RPP) detyron çdo shoqëri tregtare të deklarojë personin fizik që zotëron në fund mbi njëzet e pesë për qind të kapitalit ose, kur nuk mund të identifikohet një i tillë, drejtuesin më të lartë ekzekutiv. Më 18 prill 2023, studioja ligjore “VP Legal” e përmbushi këtë detyrim ligjor, duke regjistruar si pronar përfitues me tetëdhjetë për qind avokatin e Beogradit, Dejan Vuković.

Dy ditë më vonë, më 20 prill 2023, e njëjta administratore dorëzoi formularin për agjencinë binjake “ODM Collections”. Ekstrakti zyrtar i lëshuar nga Regjistri i Pronarëve Përfitues për këtë subjekt paraqet një shkelje të rëndë: tabela e pronarëve përfitues është krejtësisht e zbrazët[4]. Asnjë person fizik nuk figuron si pronar përfundimtar i shoqërisë që arkëton detyrimet e pajtimtarëve shqiptarë.

ODM Collections — Tabela e pronarëve e zbrazët VP Legal — Dejan Vuković i deklaruar me 80%
Krahasim i dy ekstrakteve të Regjistrit të Pronarëve Përfitues të dorëzuara me dy ditë ndërmjet në prill 2023 nga e njëjta administratore: ndërsa studioja binjake “VP Legal” deklaron avokatin e Beogradit Dejan Vuković (djathtas), ekstrakti i agjencisë së arkëtimit “ODM Collections” e lë tabelën e pronarëve përfitues krejtësisht të bardhë (majtas).

Odm Collections Vp Legal

Për të kuptuar se kush qëndron pas kësaj flete të bardhë në Tiranë, gjurma të çon në Agjencinë e Regjistrave të Biznesit në Beograd. Ortaku i vetëm i degës shqiptare, “ODM Collections doo Beograd”, e drejtuar nga Marin Gligo, e rriti xhiron vjetore me gati tetëdhjetë për qind[5] menjëherë pas hyrjes në tregun shqiptar: nga 6.03 milionë euro në vitin 2023 në 10.84 milionë euro në vitin 2025, me 2.29 milionë euro fitim të pastër. Kjo shoqëri zotërohet njëqind për qind nga shoqëria mëmë “Ocean Ideas doo Beograd-Savski Venac”, me seli në rrugën “Teodora Drajzera” nr. 34, një vilë në lagjen e zgjedhur Savski Venac të Beogradit. Në po atë adresë, “Teodora Drajzera 34”, ndodhet selia e studios së avokatisë “Vuković & Partners” të Dejan Vuković-it — pronarit të deklaruar të “VP Legal” në Tiranë — si dhe zyra serbe e blerësit zvicerano-suedez të portofoleve të kredive me probleme, “DDM Debt Management”.

Më 9 shkurt 2026, kapitali i “Ocean Ideas doo Beograd” u copëzua papritur në katër pjesë[6] që e mbanin çdo ortak të ri nën pragun e transparencës ligjore ose pas administratorëve fiduciarë të emëruar në Qipro. Gjashtëdhjetë për qind të kuotave kaluan te “Ocean Ideas Ltd”, dhjetë për qind te “Driftwave Ltd” dhe dhjetë për qind te “Nexlify Holdings Ltd” — të tria të regjistruara në prill 2025 në të njëjtën adresë në rrugën “Chytron 5” në Nikozia dhe të administruara nga shoqëritë e shërbimeve të sekretarisë korporative “Brigidi Holdings Ltd” dhe “Virna Secretarial Services Ltd” — ndërsa njëzet për qind mbetën te “Ocean Roark doo Beograd” (ndërkohë që një shoqëri qipriote paraardhëse me po këtë emër e vitit 2014 kishte pasur si drejtues dy kuadro të mikrofinancës nga Almati i Kazakistanit, Zhanar Seidakhmetova dhe Malik Kushaliyev).

Mirëpo perdeja e Nikozias u çua në një tjetër regjistër evropian. Kur më 4 gusht 2026 grupi hapi degën e re në Lubjanë, “Ocean Roark, poslovno svetovanje, d.o.o.”, regjistri tregtar slloven — i cili i pasqyron pa filtra ortakët e kapitalit — nxori në dritë pronarin e vërtetë: shtatëdhjetë për qind e shoqërisë zotërohet drejtpërdrejt nga avokati serb Dejan Vuković[7] dhe tridhjetë për qind nga “Ocean Roark doo Beograd”. Edhe vetë “Ocean Roark doo Beograd”, e themeluar nga Vuković-i në tetor 2021, raportoi në pasqyrën financiare të vitit 2025 një rritje të të ardhurave me 4,819 për qind brenda një viti — nga 60.6 mijë euro në 2.98 milionë euro — me zero punonjës të deklaruar dhe me llogari bankare pranë “Mirabank” në Beograd.

Apr Serbi Drcor Ajpes

Qarku mbyllet me adresën elektronike zyrtare [email protected], të cilën si “Ocean Ideas” ashtu edhe “Ocean Roark” e kanë deklaruar në regjistrin shtetëror serb. Kjo adresë i përket shoqërisë “Ocean Business Support doo Beograd” në po atë vilë në “Teodora Drajzera 34”, ku kuotat mbahen nga Bosiljka Vuković me nëntëdhjetë për qind dhe Dejan Vuković me dhjetë për qind. Në faqen e saj zyrtare, kjo shoqëri shpall partneritetin e drejtpërdrejtë me studion “Vuković & Partners” dhe ofron themelimin e shoqërive jashtë vendit me premtimin tregtar: “Fshehtësia e të dhënave mbi pronarët dhe përfaqësuesit”.

Dymbëdhjetë ditë pas rënies së Viktor Orbánit: Pengu mbi aksionet e “ONE Albania” në faqen 215
Më 25 gusht 2026, mediat në Tiranë shtruan pyetjen nëse aksionet, të ardhurat apo rrjeti i operatorit “ONE Albania” ishin lënë peng nga pronarët hungarezë për të mbuluar borxhet prej afro tetëqind e nëntëdhjetë miliardë forintash të konglomeratit “4iG”. Përgjigjja ndodhej tashmë prej katër muajsh e arkivuar në faqen 215 të ekstraktit historik të shoqërisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Kronologjia e depozitimeve në Tiranë ndjek me përpikëri ditore përmbysjen politike të pranverës 2026 në Budapest. Në qershor 2025, grupi “4iG” kishte shuar shoqërinë e mëparshme “4iG Albania Kft.” dhe e kishte shndërruar në një shoqëri aksionare të mbyllur me zero punonjës, të quajtur “4iG International Telco Holding Zrt.”, me objekt veprimtarie në regjistrin hungarez “veprimtarinë e kanaleve financuese”. Më 31 mars 2026 — dymbëdhjetë ditë para zgjedhjeve parlamentare në Hungari — “ONE Albania” regjistroi me vonesë në QKB kalimin e mbi tetëmbëdhjetë milionë e gjysmë aksioneve te ky kanal financues në Budapest, duke paguar njëkohësisht gjobën për kundërvajtje administrative[8].

Më 12 prill 2026, kryeministri hungarez Viktor Orbán i humbi zgjedhjet përballë partisë opozitare “Tisza”, të udhëhequr nga Péter Magyar. Në bursën e Budapestit, aksionet e “4iG” — kolosit kombëtar të ngritur me kredi shtetërore e kontrata publike gjatë qeverisjes së Orbánit — ranë me gjashtëdhjetë për qind. Dymbëdhjetë ditë pas humbjes së zgjedhjeve, më 24 prill 2026, përpara se qeveria e re në Budapest të merrte detyrën, në Tiranë u nënshkrua akti noterial me numër repertori 2398 dhe numër koleksioni 1282[9]. Pesë ditë më pas, më 29 prill 2026, ky akt u regjistrua në QKB si “Marrëveshje e Barrës Siguruese mbi Kuotat dhe Aksionet”, duke vënë në peng pjesëmarrjen aksionare në kapitalin e “ONE Albania”.

Faqja 215 e ekstraktit historik të “ONE Albania” në QKB: më 31 mars 2026 regjistrohet kalimi i 18.54 milionë aksioneve te kanali financues “4iG International Telco Holding Zrt.” bashkë me gjobën e vonesës; në fund të faqes, më 29 prill 2026, regjistrohet “Marrëveshja e Barrës Siguruese mbi Kuotat/Aksionet” (akti noterial nr. 2398 i datës 24 prill 2026).

One Albania 4ig
One Albania Bursa E Budapestit

Fondet e errëta të Budapestit, gjiganti gjerman i mbrojtjes dhe kontrolli ndërministror
Ekstrakti prej dyqind e nëntëmbëdhjetë faqesh i “ONE Albania” pasqyron rrugëtimin e operatorit më të vjetër celular në Shqipëri: i themeluar në nëntor 1995 si shoqëria shtetërore “AMC”, i privatizuar në vitin 2000 nga grupi grek “Cosmote/OTE”, i riemërtuar “Telekom Albania” në vitin 2015 dhe i blerë në maj 2019 për pesëdhjetë milionë euro nga shoqëria bullgare “Albania Telecom Invest AD” e investitorëve Elvin Guri dhe Atanas Dobrev, ai kaloi në mars 2022 në pronësi të grupit hungarez “4iG Nyrt.”. Pas bashkimit me përthithje të “ALBtelecom-it” më 30 dhjetor 2022, grupi “4iG” zotëron 96.262 për qind të aksioneve, ndërsa Ministria e Financave e Shqipërisë mban ende 2.545 për qind, aksionarët e pakicës 0.738 për qind dhe “Posta Shqiptare” 0.455 për qind. Në Regjistrin shqiptar të Pronarëve Përfitues pas “ONE Albania” figurojnë dy emra. I pari është sipërmarrësi hungarez Gellért Zoltán Jászai me 51.22 për qind kontroll të tërthortë përmes një zinxhiri prej pesë hallkash që zbret nga shoqëria administruese “iKON” te fondi privat i kapitalit “iG COM Magántőkealap”, më tej te “4iG Nyrt.”, shoqëria “Antenna Hungária” dhe shoqëria bullgare “Albania Telecom Invest”. I dyti është shtetasi gjerman Armin Theodor Papperger, kryetar i këshillit drejtues të gjigantit gjerman të industrisë së mbrojtjes “Rheinmetall AG” me seli në Dyseldorf, i cili në vitin 2022 bleu 25.12 për qind të aksioneve të grupit mëmë “4iG Nyrt.”.

Ekstrakti i Regjistrit të Pronarëve Përfitues për “ONE Albania”, ku sipërmarrësi hungarez Gellért Zoltán Jászai figuron me 51.22 për qind pronësi të tërthortë.

Pronaret Perfitues Te One Albania

Ndryshe nga sa u raportua në shtypin e Tiranës më 8 nëntor 2026 se Jászai ndodhet personalisht “nën hetim për korrupsion”, verifikimi i akteve zyrtare në Budapest dëshmon një gjendje juridike më të përpiktë. Deri në nëntor 2026 ndaj tij nuk ka aktakuzë penale vetjake në gjykatë; goditja institucionale ka ardhur me Vendimin e Qeverisë Hungareze nr. 1262/2026 të datës 14 gusht 2026[10], përmes të cilit kryeministri i ri Péter Magyar urdhëroi katër ministri të kryejnë një kontroll të plotë shtetëror mbi kontratat publike të grupit “4iG”, obligacionet prej treqind e tetëdhjetë e nëntë miliardë forintash pranë Bankës Kombëtare të Hungarisë, kalimin e mbi katërqind miliardë forintave pasuri shtetërore te “Antenna Hungária”, kreditë shtetërore prej mbi një miliard eurosh për blerjen e “Vodafone Hungary”, privatizimin e uzinës ushtarake “Rába” dhe tenderin e byzylykëve të urgjencës për të moshuarit. Pesë javë më pas, qendra hulumtuese hungareze “Direkt36” dhe portali “Telex” zbuluan se edhe zyrtarët e Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme kishin ngritur shqetësime sigurie ndaj kalimit të projektit satelitor ushtarak te “4iG”, pikërisht sepse pronësia përmes fondit privat “iG COM Magántőkealap” cenonte transparencën e kërkuar për rrjetet e NATO-s.

Bllokimi nga Bashkia Vlorë, 132 milionë euro humbje të mbartura dhe rrokadat në kupolën drejtuese
Dosja e QKB-së tregon se lëkundjet financiare e drejtuese brenda “ONE Albania” në Tiranë kishin nisur vite para kthesës politike në Hungari. Që më 21 qershor 2023, Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore e Bashkisë Vlorë bllokoi për më shumë se tre muaj njëqind për qind të aksioneve[11] të operatorit për shkak të detyrimeve tatimore vendore të pashlyera, deri në heqjen e masës më 26 shtator 2023. Ndërkohë, ndonëse shoqëria vepron në një treg duopoli, përllogaritjet e shtypit ekonomik mbi pasqyrat financiare vjetore të depozituara në QKB tregojnë se, pas një humbjeje prej 5.5 milionë eurosh në vitin 2022, “ONE Albania” raportoi midis 125 milionë dhe 132 milionë euro humbje kontabël të mbartura[12] përgjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025 — duke mos derdhur tatim mbi fitimin për tri vite radhazi, ndërkohë që shtrenjtoi paketat celulare dhe nisi fushatën e arkëtimit të detyrimeve të vjetra.

Në po atë periudhë, kupola drejtuese në Tiranë u përfshi nga rrokada të njëpasnjëshme. Drejtori i përgjithshëm Brano Djurović u largua në qershor 2025 për t’u zëvendësuar nga Tamás Tábori, të cilit pas vetëm tre muajsh e gjysmë ia zuri vendin Barna Kútvölgyi, ndërsa drejtoreshës së financës Brikena Hysi iu njoh e drejta e urdhërpagesave bankare brenda tavaneve të miratuara. Në dhjetor 2025, të tre zëvendësdrejtorëve të përgjithshëm të “4iG” — Csaba Ferenc Thurzó, Gábor Tomcsányi dhe Péter Krisztián Fekete — iu hoq e drejta e nënshkrimit të vetëm deri në tre milionë euro për veprim financiar, dhe ndërmjet korrikut e shtatorit 2026 ata u tërhoqën plotësisht nga këshillat drejtues të “ONE Albania” bashkë me kryejuristin Dr. Csaba Vezekényi, teksa shoqëria mbyllte dhjetëra dyqane fizike në rrethe (ndërsa si auditues ligjor për vitin 2026 u emërua shoqëria “Ernst & Young”, pas viteve me “Grant Thornton”).

Në gusht 2026, i pajisur ende me titullin diplomatik të ambasadorit të jashtëzakonshëm për investimet ndërkombëtare që i ishte akorduar në mars 2025, Gellért Zoltán Jászai mbërriti në Tiranë dhe, sipas shtypit financiar hungarez dhe njoftimeve të tij publike, zhvilloi takime me Kryeministrin Edi Rama dhe me Ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi për bashkëpunime në industrinë ushtarake. Kjo vizitë rikujtoi një paradoks të mprehtë: në tetor 2018, Kryeministri Rama kishte bllokuar ofertën prej gjashtëdhjetë milionë eurosh të ndërmarrjes shtetërore “Telekom Srbija” për blerjen e “Telekom Albania” në emër të sigurisë kombëtare, mirëpo katër vjet pasi operatori kaloi te grupi hungarez “4iG”, në katin e shtatë të selisë së “ONE Albania” u vendosën degët e grupit të Beogradit “ODM Collections” dhe “VP Legal”, me qasje të drejtpërdrejtë në regjistrat e pajtimtarëve shqiptarë. Në Këshillin Mbikëqyrës të shoqërisë në Tiranë kishin shërbyer më herët edhe juristë të njohur vendas, përfshirë themeluesin e studios “Kalo & Associates”, Përparim Kalo, deri në emërimin e tij në Gjykatën Kushtetuese, i pasuar në mars 2021 nga ortaku drejtues Aigest Milo.

Rrjeti prej nëntë subjektesh i Dritan Abazit dhe klauzola e “Posta Jonë” për pagesat e “One”
Krahun e dytë të fushatës për vjeljen e detyrimeve të prapambetura të pajtimtarëve të “ONE Albania” e kryen shoqëria shqiptare “D&A Fin Partner”. E themeluar në prill 2010 nga sipërmarrësi Dritan Abazi — fillimisht me Ardian Spahiun dhe më pas për tre vjet me Bledar Cenamerin — shoqëria u rrit mbi parimin tregtar “Pa arkëtim nuk ka tarifë”, duke blerë portofole detyrimesh dhe duke i ndjekur debitorët në gjykata e në përmbarim. Ekstrakti historik prej njëzet e shtatë faqesh në QKB tregon se nga qershori 2016 deri në qershor 2020 ortak pakice në këtë shoqëri ka qenë shtetasi amerikan Mark Christopher Crawford, ish-kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri. Gjatë atyre viteve kapitali i “D&A Fin Partner” u rrit në mbi dyzet e tre milionë lekë — rreth 435 mijë euro — dhe pas largimit të Crawford-it në vitin 2020, Dritan Abazi mbeti sërish ortak dhe pronar përfitues i vetëm me njëqind për qind të kuotave.

Tri dyer në një kat në Rrugën “Dritan Hoxha” dhe statuti i 17 tetorit 2025
Në raportimet e deritanishme mediatike, “D&A Fin Partner” është paraqitur vetëm si një agjenci e jashtme arkëtimi. Mirëpo kryqëzimi i të gjitha regjistrimeve aktive e të pezulluara në QKB në emër të Dritan Abazit nxjerr në pah një rrjetëzim prej nëntë subjektesh — shtatë shoqëri tregtare dhe dy regjistrime si person fizik — si dhe një lidhje statutore të drejtpërdrejtë me arkëtimin e pagesave të operatorit “One”.

Deri në shkurt 2025, në katin e dytë të Ndërtesës 92 në Rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë vepronin nën të njëjtën çati tri shoqëri në pronësi të plotë të Dritan Abazit që plotësonin njëra-tjetrën në zinxhirin operacional. Krahas agjencisë së arkëtimit “D&A Fin Partner”, aty ndodhej qendra e thirrjeve “Sale & Service”, e themeluar në gusht 2023 me kapital dhjetë mijë lekë dhe e drejtuar sot nga administratorja Sidorela Hysenaj, si dhe shoqëria postare e financiare “Posta Jonë”, e themeluar në tetor 2021 me kapital themeltar vetëm njëqind lekë dhe me administratore të sotme Fiqirete Gjanën (ku gjatë një ndryshimi adrese në shkurt 2025 forma e pronësisë në QKB u shënua si “e përbashkët, shqiptare – e huaj”, ndonëse Abazi mbeti ortaku i vetëm në ekstrakt). Rreth kësaj bërthame vërtiten në regjistrin e QKB-së edhe katër shoqëri të pezulluara a të çregjistruara — “Star Investment Group”, “Saturni”, “D & ACO” dhe “Fin Pro-Tech” — bashkë me dy licenca aktive si person fizik.

Dokumenti kyç ndodhet brenda dosjes së shoqërisë “Posta Jonë”. Më 15 tetor 2025, me vendim të regjistruar në QKB dy ditë më vonë, Dritan Abazi ndryshoi objektin e veprimtarisë së shoqërisë “Posta Jonë”, duke shtuar shprehimisht kryerjen e “<span class=”doc-ref” tabindex=”0″ data-fn=”12″>pagesave dhe transfertave nëpërmjet UnionNet dhe One</span>, në funksion të veprimtarisë tregtare dhe administrative të subjektit”.

Të dhënat e regjistrimit të shoqërisë “Posta Jonë” në QKB, në pronësi të Dritan Abazit dhe me kapital themeltar 100 lekë: në pikën 9 të objektit të veprimtarisë përfshihen shprehimisht “pagesa dhe transferta nëpërmjet UnionNet dhe One”.

Dritan Abazi Posta Jone

Ky depozitim vërteton se rrjeti i Dritan Abazit qëndron në të dyja anët e sportelit të pajtimtarit: ndërsa përmes “Posta Jonë” — në bashkëpunim me rrjetin financiar “UnionNet” të shoqërisë “Union Financiar Tiranë” të vëllezërve Edmond dhe Niko Leka — arkëtohen faturat e zakonshme për “One”, përmes “Sale & Service” dhe “D&A Fin Partner” telefonohen dhe ndiqen ligjërisht po pajtimtarët e kësaj shoqërie për detyrimet e mbartura.

Edhe lëvizjet e administratorëve në “D&A Fin Partner” dëshmojnë kujdes të shtuar përpara shpërthimit të zemërimit publik. Pasi shoqëria u drejtua radhazi nga juristi Petrit Musaj (i cili më pas hapi zyrën ligjore me emrin e mëparshëm tregtar “ProLegal” për këshillim shitjesh e telemarketingu), Mariglen Cengu dhe prej korrikut 2023 Anis Hoxha, emrat e Hoxhës dhe të Abazit u përmendën publikisht më 11 gusht 2026 në media, në rastin e një të moshuareje në Tiranë. Asaj i kërkohej ekzekutimi i detyrueshëm nga “D&A Fin Partner” për një kredi prej katërqind mijë lekësh të marrë në emër të saj pranë “IuteCredit Albania” nga persona të tretë përmes fotografisë së letërnjoftimit, ndonëse rasti ishte kallëzuar penalisht si mashtrim. Pesëdhjetë e një ditë më pas — dhe një muaj para se të shpërthente vala e ultimatumeve dhjetëditore të “ONE Albania” — më 2 tetor 2026 Dritan Abazi e zëvendësoi në QKB administratorin Anis Hoxha me administratorin e ri, Ronald Rroga[14].

Ndarja e dosjes penale të SPAK-ut nga “IuteCredit Albania”: Sportelet në spitalet private dhe 11.4 milionë eurot drejt Estonisë
Kur më 8 nëntor 2026 u raportua se “D&A Fin Partner” arkëton detyrime si për “ONE Albania” ashtu edhe për institucionin financiar jobankar “IuteCredit Albania”, disa shkrime mediatike e lidhën “IuteCredit-in” me dosjen e madhe penale të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) mbi skemën e mikrokredive, në kuadër të së cilës u bllokuan afro gjashtëmbëdhjetë mijë llogari bankare dhe u sekuestruan pasuri me vlerë rreth tridhjetë e shtatë milionë euro. Ballafaqimi i komunikatës zyrtare të SPAK-ut të datës 23 korrik 2025 mbi Procedimin Penal nr. 244/2024 me ekstraktet historike të QKB-së dëshmon se ky njësim nuk qëndron në dokumente.

Subjektet e dërguara për gjykim nga SPAK-u për mashtrim me pasoja të rënda dhe grup të strukturuar kriminal përbëjnë një rrjet krejt tjetër financiar e përmbarimor: shoqëria “Micro Credit Albania” (me ortake të vetme Elda Ibron dhe ish-administrator Andis Gjokën), shoqëria “FINAL” e Arben Meskutit, agjencia “ADCA” e Aldo Dakës dhe zyra përmbarimore “TDR Group”, bashkë me gjashtëmbëdhjetë të pandehur persona fizikë, të cilët kryen 15,910 bllokime llogarish dhe nxorën në ankand 171 pasuri të paluajtshme me vlerë mbi treqind e katërmbëdhjetë milionë lekë. Me vendimin nr. 4488 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë[15] të datës 18 korrik 2024, “Micro Credit Albania” kaloi nën sekuestro parandaluese dhe administrim shtetëror pranë Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), ku që prej qershorit 2025 administrator shtetëror është emëruar Ismet Gorani.

Depozitimi i datës 22 korrik 2024 në ekstraktin e “Micro Credit Albania” në QKB: regjistrimi i vendimit nr. 4488 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë (18.07.2024) për vendosjen e sekuestros parandaluese mbi shoqërinë e Elda Ibros.

Micro Credit Albania Qkb

Nga ana tjetër, “IuteCredit Albania”, e drejtuar nga administratori Akan Ajdini krahas shoqërisë simotër të parasë elektronike “IutePay Albania” nën drejtimin e Jonida Çelës, zotërohet njëqind për qind nga grupi estonez me seli në Talin “Iute Group AS”, me pronarë përfitues shtetasit estonezë Tarmo Sild dhe Allar Niinepuu. Ndërmjet aksionarëve estonezë të “IuteCredit Albania”, grupit të sekuestruar të Elda Ibros dhe shoqërisë së Dritan Abazit nuk figuron asnjë mbivendosje pronësie; marrëdhënia e dokumentuar me “D&A Fin Partner” është kontraktore, pasi institucioni i mikrokredisë kontrakton agjencinë e Abazit për arkëtimin e kredive me probleme.

Dy sportele kredie në katin e parë të spitaleve private dhe paratë që dalin drejt Talinit
Pikërisht kur ndahet me përpikëri ligjore ajo çka nuk i takon shoqërisë “IuteCredit Albania” në dosjen penale të SPAK-ut, shqyrtimi i gjashtëdhjetë e një depozitimeve të vetë kësaj shoqërie në QKB dhe i pasqyrave të saj financiare të audituara nxjerr në pah dy gjetje thelbësore mbi modelin e saj të veprimit në Shqipëri. Më 29 korrik 2024 — vetëm njëmbëdhjetë ditë pasi gjykata kishte vënë nën sekuestro parandaluese “Micro Credit Albania” — “IuteCredit Albania” regjistroi në QKB hapjen e dy njësive të reja të kredidhënies konsumatore në Tiranë. Të dyja sportelet nuk u çelën në rrugë tregtare, por brenda dy spitaleve private[16]: njëri në katin e parë të ndërtesës së “American Hospital” në rrugën “Sabaudin Gabrani”, dhe tjetri në katin e parë të ndërtesës së “International Hospital” në kilometrin e parë të autostradës Tiranë–Durrës, pikërisht aty ku pacientët dhe familjarët e tyre përballen me fatura spitalore të ngutshme.

Pika 27 e ekstraktit të “IuteCredit Albania” në QKB: ndër njësitë e ushtrimit të veprimtarisë figurojnë sportelet e kredisë në katin e parë të ndërtesës së “American Hospital” dhe në katin e parë të “International Hospital”.

Iute Group As

Ndërkohë, pasqyrat financiare të audituara të vitit 2025 zbulojnë se ku përfundon vlera e krijuar nga kamatat e larta të kredive konsumatore në Shqipëri. Për vitin ushtrimor 2025, “IuteCredit Albania” deklaroi në Tiranë një fitim të pastër prej 421.8 milionë lekësh — afro 4.36 milionë euro — ndërsa shpenzimet e pagave për të gjithë personelin në vend ishin 362 milionë lekë, rreth 3.74 milionë euro. Gjatë po atij viti, shoqëria shqiptare faturonte dhe transferonte drejt grupit mëmë në Talin të Estonisë afro 1.1 miliardë lekë — rreth 11.4 milionë euro[17] — të ndara në 605.55 milionë lekë për shërbime drejtimi e administrimi, 274.30 milionë lekë kamata ndërshoqërore ndaj grupit dhe 218.90 milionë lekë tarifa për garanci financiare. Me fjalë të tjera, për çdo një euro fitim të deklaruar e të tatueshëm në Shqipëri, 2.60 euro dolën jashtë vendit si faturime brenda grupit drejt Estonisë, duke gërryer ndjeshëm bazën tatimore vendase.

Iute Credit Albania Dosja Ne Spak

Nga dhjetë eurot e kërkuara me ultimatum dhjetëditor te dyert ngjitur në katin e shtatë të kompleksit “Square 21”, fleta e bardhë në Regjistrin e Pronarëve Përfitues, pengu noterial i faqes 215 dymbëdhjetë ditë pas zgjedhjeve në Hungari dhe rrjeti vendas që arkëton faturat në njërin sportel teksa ndjek debitorët në tjetrin, dokumentet shtetërore dëshmojnë se pas një njoftimi të thjeshtë telefonik shtrihet një arkitekturë e tërë financiare ndërkufitare — barra fundore e së cilës bie mbi pajtimtarin shqiptar.

***

Shënim mbi burimet dhe metodologjinë: Ky hulumtim mbështetet në 37 ekstrakte historike e pronësore të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe të Regjistrit të Pronarëve Përfitues (RPP) në Tiranë, si dhe në dokumentet zyrtare të regjistrave tregtarë në Serbi (APR), Qipro (DRCOR), Slloveni (AJPES), Hungari (Céginformáció dhe Magyar Közlöny) e Estoni (e-Äriregister), krahas komunikatave e vendimeve zyrtare të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Të gjitha faksimilet e paraqitura në shkrim janë prerje autentike nga dokumentet zyrtare shtetërore.

©Shqip.com