Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka publikuar listën e subjekteve që kanë kryer vetëdeklarime në vitet 2005–2006 në Bashkinë Lezhë, por me të cilët nuk ka qenë e mundur të vendoset kontakt për shkak të mungesës së të dhënave të sakta të komunikimit.
Bëhet fjalë për 1818 dosje të cilat vijojnë të jenë në proces dhe që Drejtoria Vendore ASHK Lezhë synon t’i përmbyllë, por mungesa e kontaktit me qytetarët vështirëson identifikimin e saktë të vendndodhjes së ndërtimeve informale. Lista është publikuar në faqen zyrtare të Kadastrës (www.ashk.gov.al)
Në formularët e vetëdeklarimit, adresa e objektit është përcaktuar vetëm me emrin e zonës, pa të dhëna të mjaftueshme për lokalizimin e tij të saktë. Për këtë arsye, komunikimi paraprak me qytetarët është i domosdoshëm, si për identifikimin e objektit, ashtu edhe për koordinimin e datës së verifikimit në terren.
Duke qenë se objektet ndodhen në distanca të konsiderueshme nga njëri-tjetri, bashkëpunimi me vetëdeklaruesit ndihmon në organizimin më të mirë të punës dhe përshpejtimin e procesit të evidentimit.
ASHK u bën thirrje të gjithë qytetarëve që identifikojnë emrin e tyre në listën e publikuar, të paraqiten pranë njësisë administrative përkatëse ose në zyrat e Drejtorisë Vendore të ASHK-së Lezhë, për të rivendosur kontaktin me institucionin dhe për të vijuar procedurat drejt përfundimit të legalizimit të ndërtimeve të tyre.
Ndërkohë, procesi i legalizimeve në Bashkinë Lezhë ka vijuar me ritme të mira. Sipas të dhënave të ASHK-së, deri në muajin tetor të këtij viti janë emetuar 1,487 vendime legalizimi, një shifër që shumë më lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Bashkëpunimi me qytetarët dhe përditësimi i të dhënave të kontaktit janë elementë të rëndësishëm për të përmbyllur edhe dosjet e mbetura pezull dhe për t’u dhënë zgjidhje procedurave të legalizimit.

