Bota

Po “çmend” rrjetin/Radhë kilometrike për të blerë tek “Shitëse i Shalleve”!

Një shitës i thjeshtë shalle në tregun tradicional Namdaemun të Seulit është kthyer në një nga personazhet më të famshëm të momentit në Korenë e Jugut. Me një mënyrë krejt të pazakontë shitjeje, batuta humoristike dhe një pamje që ka tërhequr vëmendjen e mijëra grave, ai ka arritur të kthejë një dyqan të vogël në një atraksion të vërtetë. I njohur në rrjetet sociale si “Scarf Uncle” (xhaxhai i shalleve) apo “Scarfrio”, një kombinim mes fjalës shall dhe emrit të aktorit Leonardo DiCaprio, shitësi është bërë viral falë mënyrës së tij të veçantë të komunikimit me klientët.

Ajo që e bën edhe më interesant është fakti se ai shpesh përpiqet t’i bindë njerëzit të mos blejnë. “Mos i shpenzoni paratë”, u thotë klientëve, ndërsa në raste të tjera u sugjeron me humor se një shall nuk u shkon. Por pikërisht kjo mënyrë e drejtpërdrejtë dhe plot humor ka bërë që njerëzit të dynden drejt dyqanit të tij.

Oferta e tij është gjithashtu një tjetër arsye e popullaritetit: gjashtë shalle për vetëm 10 mijë won, ose rreth 6.80 dollarë. Sipas gazetës “The Guardian”, vizitorët presin më shumë se një orë për të arritur te banaku, ndërsa shumë prej tyre vijnë nga qytete të tjera vetëm për ta takuar dhe për të blerë diçka prej tij. Pamjet e radhëve të gjata, reagimet e klientëve dhe batutat e shitësit kanë grumbulluar miliona shikime në YouTube dhe Instagram. Madje, shumë prej vizitoreve nuk e fshehin admirimin për pamjen dhe sharmin e tij, duke kërkuar edhe fotografi me të.

Suksesi i papritur ka krijuar edhe probleme. Fluksi i madh i njerëzve ka bllokuar rrugicat e tregut dhe hyrjet e dyqaneve përreth. Për të menaxhuar situatën janë angazhuar policia dhe roje private sigurie, ndërsa shitësi është detyruar disa herë të mbyllë përkohësisht aktivitetin. Ai gjithashtu ka ndaluar publikimin e orareve të punës për të shmangur grumbullimet e pakontrolluara.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.