Erdhën në Shqipëri për të festuar shtatzëninë, ai përfundoi në burg për 23 kg kanabis dhe ajo humbi fëmijën! Kanadaja heton për ndërrimin e valixhes në Rinas
Një udhëtim nga Kanadaja drejt Shqipërisë, që duhej të ishte një vizitë e gëzueshme për të ndarë me familjarët lajmin e shtatzënisë, u kthye në një tragjedi për Kristian dhe Adriana Gjonin. Burri përfundoi në pranga në aeroportin e Rinasit, pasi në një valixhe të lidhur me emrin e tij u gjetën 23.15 kilogramë kanabis, ndërsa bashkëshortja humbi shtatzëninë. Sot, ai përballet me një proces penal dhe rrezikun e një dënimi deri në 15 vite burg.
Historia e çiftit shqiptar që jeton në Toronto është bërë objekt i një investigimi nga emisioni W5 i televizionit kanadez CTV News. Sipas dëshmisë së Kristianit, gjatë mbërritjes në Rinas, autoritetet konstatuan se njërit prej bagazheve i mungonte etiketa identifikuese. Pas rreth dy orësh e gjysmë, ai u shoqërua në zonën e bagazheve dhe iu kërkua të merrte një valixhe, për të cilën këmbëngul se nuk ishte e tij. Brenda saj u zbulua sasia e kanabisit, me vlerë të përllogaritur nga policia në afro 400 mijë dollarë kanadezë.
Pikëpyetjet mbi përgjegjësinë e tij janë shtuar pas verifikimeve të Policisë Mbretërore Kanadeze (RCMP). Sipas investigimit, autoritetet kanadeze konfirmuan se çifti kishte dorëzuar për transport vetëm katër valixhe. Në një komunikim në muajin tetor, një oficer i RCMP-së i shkroi Kristianit se institucioni besonte se ai mund të kishte qenë viktimë e një ndërrimi të etiketave të bagazheve. Kjo praktikë, sipas shpjegimit të W5, mund të përdoret nga persona që kanë akses në sistemin e transportit për të lidhur valixhe me drogë me identitetin e pasagjerëve të tjerë.
Një tjetër element që ngre pikëpyetje është rasti i një pasagjereje kanadeze në të njëjtin fluturim. Edhe etiketa e bagazhit të saj rezultoi e lidhur me një valixhe që përmbante rreth 23 kilogramë kanabis, por ajo u lirua pa akuza. Ndërkohë, Kristiani vazhdon të përballet me procedurat penale në Shqipëri. Deri më tani, nuk është bërë publik një shpjegim zyrtar për trajtimin e ndryshëm të dy rasteve.
Pasojat për çiftin kanë qenë të rënda edhe në planin familjar. Gjatë kohës që Kristiani ishte i ndaluar, Adriana përjetoi dhimbje të forta dhe u transportua në spital, ku analizat konfirmuan se kishte qenë shtatzënë, por kishte pësuar abort spontan. Dokumentet mjekësore nga spitalet në Shqipëri dhe Toronto janë shqyrtuar nga gazetarët kanadezë. Megjithatë, nuk ka një përfundim mjekësor publik që të vërtetojë se stresi i shkaktuar nga arrestimi ishte shkaku i drejtpërdrejtë i humbjes së shtatzënisë.

Kristiani u lirua nga burgu me kusht, pas paraqitjes së materialeve nga avokati i tij, Ndue Pjetra, lidhur me problemet e sigurisë së bagazheve në aeroportin Pearson të Torontos. Ai duhet të udhëtojë periodikisht drejt Shqipërisë për t’u paraqitur pranë autoriteteve, fillimisht çdo muaj dhe më pas çdo katër muaj. Edhe kompania ajrore Air Transat ka deklaruar se i merr seriozisht pretendimet për ndërhyrje në sistemin e bagazheve dhe se ka bashkëpunuar me autoritetet përkatëse.

Pavarësisht materialeve të siguruara nga pala kanadeze, çështja mbetet ende e hapur. Investigimi i W5 ngre pikëpyetje mbi provat që lidhin Kristian Gjonin me sasinë e drogës, verifikimin e kamerave të sigurisë në aeroportin e Torontos dhe arsyet pse pasagjerja tjetër u lirua pa akuza. Vlerësimi i RCMP-së se ai mund të ketë qenë viktimë e ndërrimit të etiketës nuk përbën vendim gjyqësor për pafajësinë e tij, por mbetet një element që kërkon shqyrtim nga drejtësia shqiptare.
/vizionplus.tv





