“E mbyllëm me fitore bashkë me motrën”/ Rama për triumfin e Kombëtares: Isha me kryeministrin e Finlandës dhe Melonin, ngjitur ndodhej Macron Projektligji për strehimin social të përballueshëm është shoqëruar me debate në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, ku dy deputetët e opozitës, Klodiana Capja dhe Redi Muçi, kundërshtuan nismën e qeverisë, duke e cilësuar propagandë dhe duke ngritur shqetësimin për çmimet e larta të banesave, që sipas tyre e kanë bërë të pamundur blerjen e një apartamenti për të rinjtë dhe familjet me të ardhura mesatare
Gjatë raportimit të ministres Delina Ibrahimaj, deputetja Capja deklaroi se qeveria është kujtuar për politikat sociale në prag të vitit elektoral, ndërsa kritikoi mënyrën se si janë zbatuar programet e mëparshme të strehimit.
“Në prag të vitit elektoral qeveria kujtohet për politika sociale. Çdo i ri në shesh që proteston nuk ka asnjë mundësi të blejë një banesë. E gjithë kjo më duket se është në kuadër të propagandës”, u shpreh Capja.
Deputetja e opozitës ngriti gjithashtu akuza për mënyrën e shpërndarjes së banesave sociale, duke pretenduar se në qarkun e Elbasanit kanë përfituar militantë dhe eksponentë të Partisë Socialiste.
Ajo kërkoi që masat e parashikuara në projektligj të zbatohen në praktikë dhe të mos mbeten vetëm në letër.
Kritika ndaj nismës pati edhe deputeti i opozitës Muçi, i cili e cilësoi strehimin një nga problemet më të mëdha të vendit. Ai deklaroi se rritja e çmimeve të apartamenteve në Tiranë ka qenë tri herë më e lartë se rritja e pagave.
“Që kur keni ardhur ju në pushtet, kemi parë që raporti i rritjes së pagave me çmimin e apartamenteve në Tiranë është 1 me 3. Vetë sektori i ndërtimit po shkon drejt një flluske ekonomike që do të plasë, që mbahet në këmbë falë parave që vijnë nga pastrimi i parave të drogës. Këtë e vërtetojnë dosjet e SPAK-ut”, deklaroi Muçi.
Ai e cilësoi diskutimin në komision propagandë për një problem që prek veçanërisht shtresën e mesme dhe paralajmëroi se amendamentet e tij do t’i paraqesë në seancë plenare.
Prania e dy deputetëve të opozitës në mbledhjen e komisionit u komentua edhe nga kryetarja Anila Denaj, e cila tha se fillimisht kishte menduar se opozita nuk do të përfaqësohej në diskutime.
“Zonja Capja, në fillim mendova që nuk do të kishte përfaqësues nga opozita. Prezenca juaj dhe e zotit Muçi është e mirëpritur. Që të mos mbetet demagogji, keni ndonjë amendament për të paraqitur?”, iu drejtua Denaj deputetes së opozitës.
Në përgjigje, Capja shpjegoi se kishte vendosur të merrte pjesë në mbledhje, pavarësisht bojkotit të kolegëve të saj, për shkak të rëndësisë që ka çështja e strehimit për të rinjtë dhe studentët protestues.
“Unë, sikurse e kanë bojkotuar shumë kolegë të mi komisionin, do ta bojkotoja, por meqë kjo çështje lidhet me një problem të madh të protestuesve, siç janë studentët, erdha dhe mora pjesë këtu për të sjellë zërin e atyre qytetarëve që në çdo mikrofon thonë se është bërë e pamundur të blesh një shtëpi në Tiranë, të marrësh një shtëpi në Tiranë. Për të sjellë zërin e tyre erdha në komision”, deklaroi Capja.
Sa u përket amendamenteve, ajo tha se kishte ende kohë për t’i përgatitur dhe se do të punonte për paraqitjen e tyre gjatë shqyrtimit të projektligjit në Kuvend.
Denaj iu përgjigj duke theksuar se projektligji po shqyrtohej atë ditë në komisionin përgjegjës, ku duhej të diskutoheshin nen për nen edhe amendamentet.
Nga ana tjetër, ministrja Ibrahimaj tha se nisma synon të përshtatë politikat me rritjen e çmimeve dhe nevojat e qytetarëve.
“Nuk dëgjova asnjë propozim. Propozimet nuk vijnë si pasojë e dështimit. Qëllimi është të fusim instrumente të reja, jo të hedhim poshtë një projektligj të suksesshëm”, u shpreh Ibrahimaj.
Projektligji parashikon zgjerimin e instrumenteve të mbështetjes për strehimin, përfshirë kreditë me interes zero, kompensimin e qirasë dhe transformimin e Entit Kombëtar të Banesave në shoqëri aksionare.
Top Channel