Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar katër marrëveshje ndërkombëtare me Mbretërinë e Suedisë dhe Mbretërinë e Belgjikës, të cilat kanë të bëjnë me bashkëpunimin juridik dhe luftimin e kriminalitetit.
Me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët kanë miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Ekstradim.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se kjo marrëveshje paraqet një dimension të rëndësishëm të bashkëpunimit evropian dhe të forcimit të kapaciteteve shtetërore për zbatimin efektiv të ligjit.
Ajo theksoi se marrëveshja ndërlidhet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, prandaj, në bazë të nenit 18 të Kushtetutës, kërkohet ratifikimi i saj nga Kuvendi.
“Duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe garancitë e procesit të rregullt ligjor. Për Republikën e Kosovës, marrëveshje të tilla përfaqësojnë një dimension të rëndësishëm të bashkëpunimit evropian dhe të forcimit të kapaciteteve shtetërore për zbatimin efektiv të ligjit. Në bazë të nenit 18 të Kushtetutës, duke qenë se marrëveshja ndërlidhet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, kërkohet edhe ratifikimi i saj nga Kuvendi. Prandaj, të nderuar deputetë, ju ftoj ta mbështesni këtë projekt”, tha Gërvalla.
Po ashtu, me 83 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Suedisë për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale.
Ministrja Gërvalla tha se kjo marrëveshje synon të lehtësojë bashkëpunimin juridik ndërmjet dy shteteve në çështjet penale.
Ndërkaq, me 89 vota për është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës.
Marrëveshja tjetër me Suedinë, ajo për transferimin e personave të dënuar, gjithashtu është ratifikuar nga Kuvendi.
Përveç këtyre marrëveshjeve, deputetët kanë miratuar edhe propozim-programin e punës së Kuvendit për sesionin vjeshtor 2026.
