Ish-kandidatja e Miss USA, Brittany Mason, ka bërë deklarata tronditëse për presionin që pretendon se ka përjetuar në industrinë e konkurseve të bukurisë, duke zbuluar se ishte nxitur t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale estetike kur ishte ende adoleshente. Në një intervistë për Page Six, 40-vjeçarja tregoi se kishte kryer liposuksion, një procedurë për heqjen e yndyrës trupore, megjithëse ishte shumë e dobët. Sipas saj, ndërhyrja ishte e rrezikshme dhe pasojat vazhdojnë të jenë të dukshme.
“Ende kam shenja nga ai operacion”, deklaroi Mason, duke shpjeguar se nuk ishte rikuperuar siç duhej. Ish-Miss Indiana 2008 rrëfeu se kishte njohur kirurgun gjatë një feste të organizuar pas konkursit Miss Universe. Ajo pretendon se standardet e imponuara ndaj vajzave të reja krijonin presion të madh për të ndryshuar pamjen fizike.
Dëshmia e saj është pjesë e dokumentarit me tri episode “Crown of Deceit: Inside the Miss Universe Scandal”, i cili trajton polemikat dhe akuzat që kanë përfshirë organizatat Miss USA dhe Miss Universe, përfshirë pretendime për ngacmime seks*uale, manipulime të rezultateve dhe parregullsi financiare. Mason pretendon gjithashtu se ish-kandidate të tjera kanë hezituar të flasin publikisht nga frika për sigurinë ose për shkak të marrëveshjeve të konfidencialitetit. Ajo ka nisur një nismë për të kundërshtuar kontratat shfrytëzuese dhe për të siguruar mbështetje psikologjike për pjesëmarrëset në konkurset e bukurisë.



