Lavdim Pireva, Shkumbin Pireva dhe Bardh Maxhuni analizojnë sfidat ndaj Izraelit dhe Irlandës, listën e Franco Fodës, rikthimet dhe mungesat në Kombëtare, si dhe zhvillimet e fundit rreth përfaqësueses së Kosovës.

Në episodin e radhës të podcastit “Arena e Yjeve”, pjesë e diskutimit janë gazetarët e Telegrafit, Lavdim Pireva, Shkumbin Pireva dhe Bardh Maxhuni, të cilët sjellin analizat e tyre për zhvillimet e fundit te Kombëtarja e Kosovës.


Në fokus të kësaj bisede janë dy ndeshjet e fundit të Dardanëve në grup, fillimisht ndaj Izraelit në Prishtinë dhe më pas kundër Irlandës në Dublin. Gazetarët diskutojnë rëndësinë e këtyre përballjeve, objektivat e përfaqësueses dhe mundësitë që ka Kosova për ta mbyllur me sukses këtë edicion.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit i kushtohet listës prej 27 futbollistësh të publikuar nga përzgjedhësi Franco Foda. Në veçanti, vëmendje marrin tri prurjet e reja, Lindrit Kamberi, Bleon Kurtulus dhe Enis Rexhepi, si dhe mundësitë që ata të kenë për të debutuar me fanellën dardane.

Gazetarët analizojnë gjithashtu rikthimin e Elvis Rexhbeçajt dhe Kreshnik Hajrizit, mungesat e Valmir Matoshit, Erblin Osmanit dhe Lumbardh Dellovës. Në diskutim përfshihen edhe dilemat taktike të Fodës, nga përdorimi i dy sulmuesve, Vedat Muriqi dhe Fisnik Asllani, deri te roli që duhet të kenë Edon Zhegrova dhe Milot Rashica.

Një tjetër temë me interes është kundërshtari i radhës, Izraeli, pikat e forta të tij dhe futbollistët që mund ta rrezikojnë mbrojtjen e Kosovës, si dhe sfida e vështirë që e pret përfaqësuesen në Dublin ndaj Irlandës.

Në këtë episod nuk mungojnë as zhvillimet rreth prurjeve të reja për Kombëtaren. Gazetarët ndalen te ekskluzivja e Telegrafit për vendimin e talentit Lutfi Dalipi për ta përfaqësuar Kosovën, një tjetër lajm i rëndësishëm për të ardhmen e Dardanëve.

Nga analiza e dy ndeshjeve të fundit, te zgjedhjet e Franco Fodës dhe emrat e rinj që mund t’i bashkohen projektit të Kosovës, ky episod sjell një diskutim të gjerë për momentin aktual dhe pritshmëritë nga përfaqësuesja.

Episodin e plotë të “Arena e Yjeve” mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com