Policia Pyjore sekuestroi 734 metra kub dru gjatë kontrolleve të shtuara në tetor kundër prerjes së paligjshme, transportit dhe tregtimit të drurit me origjinë të paligjshme. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, nga këto aksione u ngritën gjithsej 147 kallëzime për kundërvajtje dhe vepra penale.
Nga sasia e sekuestruar, 288 metra kub ishin dru lisi dhe 274 metra kub dru ahu. Gjithashtu, u sekuestruan 51 metra kub dru të përzier dhe 121 metra kub dru teknik (trunj).
Të lidhura
None found
Gjatë aksioneve kundër vjedhjes së drurit, Policia Pyjore sekuestroi përkohësisht 11 automjete mallrash, 15 automjete pasagjerësh, tetë traktorë, 13 rimorkio dhe 18 sharra elektrike. Në gjykatat kompetente u paraqitën 122 kallëzime për kundërvajtje, ndërsa në Prokurorinë Themelore Publike u dorëzuan 25 kallëzime penale.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, tha se nga vjedhja e drurit përfitojnë individë, kurse dëmin e pësojnë të gjithë qytetarët. Ai deklaroi se kontrollet e intensifikuara do të vazhdojnë dhe se autoritetet do të veprojnë me vendosmëri ndaj veprimtarive të paligjshme që shkatërrojnë pyjet. Sipas tij, përgjegjësi do të kërkohet si nga personat që presin dru në mënyrë të paligjshme, ashtu edhe nga ata që e rishesin, pasi mbrojtja e pyjeve është detyrim i përbashkët.







