Opozita shpërthen ndaj Ibrahimajt për strehimin social: Të rinjtë s’blejnë dot asnjë shtëpi
Projektligji për strehimin social të përballueshëm është shoqëruar me debate të forta në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm. Deputetët e opozitës Klodiana Çapja dhe Redi Muçi kanë kundërshtuar nismën e qeverisë, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e saj dhe duke e cilësuar një përpjekje propagandistike përballë krizës së strehimit që po prek veçanërisht të rinjtë dhe familjet me të ardhura mesatare.
Gjatë diskutimeve me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, opozitarët ngritën shqetësimin për rritjen e vazhdueshme të çmimeve të apartamenteve, të cilat sipas tyre janë shkëputur ndjeshëm nga niveli i pagave dhe mundësitë ekonomike të qytetarëve.
Deputetja Klodiana Çapja argumentoi se qeveria po i rikthehet politikave sociale në prag të një viti elektoral, ndërsa qytetarët, veçanërisht të rinjtë që kanë dalë në protesta, përballen me pamundësinë për të siguruar një banesë.
“În prag të vitit elektoral qeveria kujtohet për politika sociale. Çdo i ri në shesh që proteston nuk ka asnjë mundësi të blejë një banesë. E gjithë kjo më duket se është në kuadër të propagandës”, deklaroi Çapja.
Ajo ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën se si janë administruar deri më tani programet e strehimit social, duke pretenduar se në qarkun e Elbasanit përfitues të banesave sociale kanë qenë militantë dhe persona të lidhur me Partinë Socialiste. Sipas deputetes, projektligji i ri duhet të garantojë zbatim konkret dhe transparencë, në vend që të mbetet një tjetër premtim në letër.
Redi Muçi: Çmimet e apartamenteve rriten tre herë më shpejt se pagat
Kritika të forta për situatën e tregut të pasurive të paluajtshme artikuloi edhe deputeti Redi Muçi. Ai vuri në dukje hendekun gjithnjë e më të madh mes rritjes së pagave dhe çmimeve të apartamenteve në Tiranë, duke paralajmëruar për rreziqet që, sipas tij, po krijohen në sektorin e ndërtimit.
“Që kur keni ardhur ju në pushtet, kemi parë që raporti i rritjes së pagave me çmimin e apartamenteve në Tiranë është 1 me 3. Vetë sektori i ndërtimit po shkon drejt një flluske ekonomike që do të plasë, që mbahet në këmbë falë parave që vijnë nga pastrimi i parave të drogës. Këtë e vërtetojnë dosjet e SPAK-ut”, deklaroi Muçi.
Deputeti e konsideroi të pamjaftueshme nismën e qeverisë përballë vështirësive reale që hasin qytetarët për të blerë një shtëpi. Ai bëri të ditur se do të paraqesë amendamentet e tij gjatë vijimit të shqyrtimit të projektligjit në Kuvend.
Debat mes Çapjas dhe Denajt për pjesëmarrjen e opozitës
Diskutimet u shoqëruan edhe me një shkëmbim mes kryetares së komisionit, Anila Denaj, dhe deputetes Klodiana Çapja.
Denaj tha se fillimisht kishte menduar se opozita nuk do të përfaqësohej në mbledhje, duke vlerësuar më pas praninë e Çapjas dhe Muçit. Ajo kërkoi që kritikat ndaj projektligjit të shoqëroheshin edhe me propozime konkrete.
“Zonja Capja, në fillim mendova që nuk do të kishte përfaqësues nga opozita. Prezenca juaj dhe e zotit Muçi është e mirëpritur. Që të mos mbetet demagogji, keni ndonjë amendament për të paraqitur?”, u shpreh Denaj.
Nga ana e saj, Çapja shpjegoi se kishte zgjedhur të merrte pjesë në komision, pavarësisht bojkotit nga një pjesë e kolegëve të saj, për shkak të rëndësisë që ka çështja e strehimit për të rinjtë dhe studentët.
Ajo theksoi se synonte të përcillte shqetësimet e qytetarëve që e konsiderojnë gjithnjë e më të pamundur blerjen apo sigurimin e një banese në kryeqytet.
Sa u përket amendamenteve, deputetja sqaroi se do t’i paraqiste në vijim të procesit parlamentar, ndërsa Denaj këmbënguli se projektligji po shqyrtohej në atë mbledhje dhe se propozimet duhej të diskutoheshin gjatë analizimit nen për nen.
Ibrahimaj mbron projektligjin: Duam të fusim instrumente të reja
Përballë kritikave të opozitës, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mbrojti nismën e qeverisë, duke argumentuar se projektligji synon të përshtatë politikat e strehimit me realitetin e ri të tregut dhe nevojat e qytetarëve.
“Nuk dëgjova asnjë propozim. Propozimet nuk vijnë si pasojë e dështimit. Qëllimi është të fusim instrumente të reja, jo të hedhim poshtë një projektligj të suksesshëm”, deklaroi ministrja.
Projektligji për strehimin social të përballueshëm parashikon zgjerimin e mekanizmave financiarë dhe socialë për qytetarët që kanë vështirësi në sigurimin e një banese. Ndër instrumentet e propozuara janë kreditë me interes zero, kompensimi i qirasë dhe transformimi i Entit Kombëtar të Banesave në një shoqëri aksionare.
Megjithatë, debati në komision nxori në pah qëndrimet e kundërta mes qeverisë dhe opozitës për efektivitetin e këtyre masave. Ndërsa ministrja i konsideron ato instrumente të reja për të lehtësuar aksesin në strehim, opozita kërkon garanci konkrete se përfitimet do të mbërrijnë te qytetarët që kanë më shumë nevojë, në një treg ku çmimet e apartamenteve po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë blerjen e një shtëpie.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



