Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e shqiptarit Redjan Z. në Bruksel, i cili u ekzekutua me armë zjarri më 12 tetor, vetëm pak orë përpara se të vritej edhe një efektiv policie në kryeqytetin belg.
Sipas mediave belge, Redjan Z. u qëllua me shtatë deri në tetë plumba në orët e vona të pasdites, në rrugën Wiertz. Autorët u larguan menjëherë nga vendngjarja, ndërsa rrethanat e krimit vijojnë të jenë objekt hetimi.
Disa orë më vonë, po atë mbrëmje, polici 41-vjeçar Nordine El Talbi u qëllua për vdekje në krye të detyrës, teksa po mbikëqyrte një automjet të parkuar në bulevardin Carton de Wiart. Makina rezultonte e vjedhur më herët gjatë mbrëmjes, nëpërmjet një grabitjeje me dhunë në Tubize.
Përmes analizimit të kamerave të sigurisë, hetuesit dyshohet se kanë arritur të identifikojnë personat e përfshirë në ngjarje. Disa prej tyre janë arrestuar në Spanjë dhe Francë. Dyshimet janë se të njëjtët persona mund të kenë marrë pjesë edhe në vrasjen e Redjan Z.
Megjithatë, Prokuroria e Brukselit nuk ka konfirmuar dhe as mohuar zyrtarisht lidhjen mes dy ngjarjeve, duke argumentuar se një veprim i tillë mund të dëmtojë hetimet që po zhvillohen për secilin rast.












