Një kërkim i gjatë nëpër arkiva, dëshmi udhëtarësh të huaj e rrëfimesh familjare, janë pjesëzat përmes së cilave publicistit dhe gazetarit Mero Baze ka rindërtuar si një mozaik, historinë e Këlcyrjave, nga lidhjet e hershme me Muzakajt, periudha osmane dhe deri në fundin e Luftës së Dytë Botërore. Në librin e tij të porsapublikuar “Oxhaku i Këlcyrës”, Baze shkon përtej pemës gjenealogjike, duke zbuluar se si kjo familje arriti të ruante ndikimin e saj përgjatë 5 shekujve

“Një familje që ka filluar sundimin e saj që në kohën e principatave shqiptare nga Muzakajt dhe ka përfunduar deri në vitin '44 është vetëm familja Këlcyra. Asnjë familje e madhe shqiptare nuk e ka këtë jetëgjatësi në pushtet.”, thotë Mero Baze.

Për të rindërtuar këtë histori, Baze është mbështetur në arkivat osmane të Stambollit, dokumentet e shtetit shqiptar dhe burime të tjera historike. Me ndihmën e studiuesit Ermal Nurja, ai ka siguruar rreth 300 deri në 400 dokumente që hedhin dritë mbi marrëdhëniet e familjes me autoritetet osmane, pronat dhe figurat që drejtuan Këlcyrën ndër shekuj.

Një prej episodeve më intriguese është lidhja me familjen e Ali Pashë Tepelenës. Dokumentet arkivore ndihmojnë në saktësimin e një misteri të trashëguar në rrëfimet historike: identitetin e bashkëshortit të mbesës së Ali Pashës dhe lidhjen e tij me bejlerët e Këlcyrës, Muratin dhe Veliun, të vrarë në Janinë.

“Zbulimi që bën libri me dokumenta nga arkivat osmane është që mbesa e Ali Pashës është e martuar me Muhamed Beun i cili është djali i Veliut, i beut të vrarë në Janinë, për shkak se kjo zbulohet nga djali i saj Hysen Beu, që ka qenë beu i shekullit XIX më i rëndësishëm i Këlcyrës, djali i Asibesë, i cili në vitin 1875 i kërkon autoriteteve osmane t'i kthejnë pronat e gjyshit të vet, Veli beut. Pra, ai pranon që gjyshi i vet është Veli Beu dhe Muhamed Beu është djali i Veli Beut. Pra ky është i pari zbulim që lidh familjen Tepelena me familjen Këlcyra, që e bën të qartë që Ali Pashë Tepelena ka vrarë dy bejlerët e rinj të Këlcyrës.”, shpjegon Baze për “Report TV”.

Libri nuk ndalet vetëm te pushteti dhe prejardhja e kësaj familjeje. Në të dalin në pah edhe lidhjet me familjet Vrioni, Vlora, Frashëri, Konica e Libohova, ku martesat shërbenin si ura aleancash dhe ndikimi politik.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe grave, shpesh të lëna në hije nga historiografia, por vendimtare në vazhdimësinë e familjeve dhe ruajtjen e kujtesës. Historia e oxhakut mbyllet pikërisht me dy gra, Shegën dhe Hëna Këlcyrën. Kësaj të fundit, autori i kushton edhe librin, si homazh për bijën e fundit të familjes.

Ndërsa Ali Këlcyra, figura më e njohur e saj, do të jetë protagonist i një vepre të veçantë në dy vëllime të tjera që priten të botohen në vijim.