Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, ka kërkuar shkarkimin e drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi, duke i bërë thirrje ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, që të ndërmarrë masa ndaj tij.
Gjatë interpelancës parlamentare për mungesën e barnave onkologjike, Ismaili i ka kërkuar Vitisë që ta iniciojë largimin e Azizit nga pozita e drejtorit të ShSKUK-së.
“Drejtorin e ShSKUK-së, si të dilni prej këtu, të inicioni dhe ta largoni prej aty. Në të kundërtën, heshtja, mbrojtja, neglizhimi, po ju bën përgjegjës edhe juve”, ka deklaruar Ismaili.
Ai e ka përshkruar gjendjen në ShSKUK si katastrofale, duke pretenduar se personat përgjegjës për keqmenaxhimin dhe abuzimet me kontratat po mbrohen politikisht.
“ShSKUK-ja është në gjendje katastrofale. Po ju lus, të gjithë deputetët, të mos reagojmë vetëm në momentet kur vdes një grua dhe pastaj të çohemi e të flasim. Duhet të gjejmë edhe momente si ky, për t’i larguar nga qeveria njerëzit që abuzojnë me paratë publike”, ka thënë Ismaili.