Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Taksimetri”, duke arrestuar dy persona që udhëtonin me taksi nga Kruja drejt kryeqytetit. Njëri prej tyre u kap me armë zjarri dhe municion pa leje.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas marrjes së një informacioni në rrugë operative për një shtetas që dyshohej se po udhëtonte i armatosur drejt Tiranës.
Taksia me të cilën udhëtonin dy personat u ndalua në rrugën “Sami Frashëri”. Gjatë kontrollit fizik, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë me 15 fishekë, që mbahej nga 30-vjeçari me inicialet P. Sh., banues në Thumanë.
Në pranga përfundoi edhe pasagjeri tjetër, 25-vjeçari R. H., gjithashtu banues në Thumanë, i dyshuar për moskallëzim krimi, pasi dyshohet se ishte në dijeni të armës që posedonte bashkudhëtari i tij.
Sipas policisë, të dy të arrestuarit, të cilët rezultojnë me precedentë penalë, kanë kundërshtuar me dhunë efektivët gjatë shoqërimit dhe kryerjes së veprimeve procedurale. Ata dyshohet se kanë dëmtuar edhe ambientet e dhomës së shoqërimit në komisariat.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.