Detaje të reja janë zbuluar lidhur me vrasjen e një shtetasi shqiptar në Bruksel, ngjarje që dyshohet se ka lidhje me një tjetër krim të rëndë, ku mbeti i vrarë një efektiv i policisë belge.

Sipas mediave vendase, shqiptari Redjan Z. është qëlluar me tetë plumba, ndërsa autorët janë larguar menjëherë pas krimit. Hetuesit dyshojnë se të njëjtët persona mund të jenë përgjegjës edhe për vrasjen e policit belg Nordine El Talbi.

Ky i fundit u qëllua për vdekje mbrëmjen e së njëjtës të hënë, teksa po mbante nën vëzhgim një automjet të parkuar në bulevardin Carton de Wiart, në Bruksel. Makina rezultonte e vjedhur më herët gjatë mbrëmjes, pas një grabitjeje të dhunshme në Tubize.

Sipas raportimeve të mediave belge, analizimi i pamjeve të kamerave të sigurisë ka ndihmuar hetuesit të identifikojnë personat e dyshuar për krimet. Mësohet se disa prej tyre janë arrestuar në Spanjë dhe Francë.

Megjithatë, Prokuroria e Brukselit nuk ka pranuar të konfirmojë apo të përgënjeshtrojë këto informacione, duke argumentuar se publikimi i detajeve mund të dëmtojë ecurinë e hetimeve.

Familja e shqiptarit mësoi për zhvillimet nga mediat

Ndërkohë, familjarët e Redjan Z. kanë shprehur shqetësimin për mungesën e informacionit zyrtar nga autoritetet belge. Sipas avokates së tyre, Ofelia Avagian, familja është njohur me zhvillimet e fundit përmes raportimeve mediatike dhe jo nëpërmjet institucioneve përgjegjëse.

Avokatja ka theksuar se kjo situatë ka shtuar pasigurinë dhe shqetësimin e të afërmve të viktimës, të cilët ende nuk kanë një panoramë të qartë të rrethanave të krimit.

Ajo ka kujtuar gjithashtu se, në komunikimet e para, autoritetet kishin deklaruar se dy vrasjet nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën, ndërsa informacionet e fundit sugjerojnë të kundërtën.

Pavarësisht paqartësive, familjarët janë shprehur të lehtësuar nga lajmet për përparimin e hetimeve dhe arrestimin e disa personave të dyshuar.

Dyshimet për një vrasje të lidhur me trafikun e drogës

Një nga pistat kryesore që po shqyrtojnë hetuesit është ajo e një ekzekutimi për larje hesapesh, të lidhur me botën e trafikut të lëndëve narkotike.

Megjithatë, mediat belge theksojnë se shqiptari nuk kishte precedentë penalë dhe nuk rezultonte person i njohur për shërbimet policore. Dëshmia e tij e penalitetit ishte e pastër.

Një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve lidhet me lëvizjet e viktimës përpara vrasjes. Sipas raportimeve, Redjan Z. udhëtonte shpesh mes Belgjikës dhe Shqipërisë.

Ende nuk është sqaruar nëse këto udhëtime kanë ndonjë lidhje me motivin e krimit.

Autoritetet belge vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e dy vrasjeve, për të përcaktuar nëse ato janë kryer nga të njëjtët autorë dhe për të identifikuar motivin që çoi në ekzekutimin e shqiptarit.