Prokuroria e Fierit ka kërkuar dhe marrë nga gjykata masën e sigurisë “Arrest në burg” për katër persona, mes tyre Arben Voja, ish-drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Fier dhe aktualisht drejtor i spitalit të Fierit, të dyshuar për tjetërsimin e një sipërfaqeje 44.100 m² tokë shtetërore. Masa e njëjtë është caktuar edhe për një ish-kryetar të njësisë administrative, një specialist jurist të Kadastrës dhe një notere. Për një specialiste hartografe të Kadastrës gjykata vendosi “Ndalimin e daljes jashtë shtetit” dhe detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.
Gjatë kontrollit në banesën e Arben Vojas u gjetën shtatë zarfe me para të shënuara me emra, dhe janë sekuestruar 31.720 euro, 608 mijë lekë, 5.000 korona norvegjeze dhe 1.400 dollarë kanadezë. Po ashtu u sekuestruan 46 fishekë kalibri 7.62 mm dhe 55 fishekë të armës së gjuetisë.
Hetimi nisi pas kallëzimit të një qytetari që pretendonte se një tokë arë në fshatin Povelçë të Fierit ishte kaluar në emër të familjes së tij pa dijeninë dhe pëlqimin e saj. Prokuroria dyshon se sipërfaqja prej 44.100 m², regjistruar fillimisht si pronë e shtetit, u regjistrua më pas si pronë private përmes dokumentesh me përmbajtje të falsifikuar. Për regjistrimin dyshohet të jetë përdorur një certifikatë pronësie e vitit 2007 e dyshuar si e falsifikuar dhe një kartelë pasurie me ndërhyrje fizike, mbishkrime dhe fshirje. Hetuesit konstatuan probleme edhe me dy prokura noteriale, ku firmat rezultonin marrë në fletë të bardha, ndërsa një person ishte jashtë Shqipërisë në kohën e hartimit të prokurës.
Sipas Prokurorisë, mekanizmi dyshohet të jetë realizuar duke përdorur të dhënat e regjistrimit të një prone tjetër 4.000 m² me certifikatë pronësie 2007, për të regjistruar më pas sipërfaqen 44.100 m² pa titull pronësie. Kartela e rifreskuar dhe fragmenti i hartës u lëshuan nga Kadastra Fier më 25 janar 2023; më 30 janar 2023 toka u shit për 88.200 euro për ndërtimin e një parku fotovoltaik. Prokuroria dyshon se shumën e shitjes e ka përfituar përfaqësuesi, i cili më pas dyshohet t’u ketë dhënë 15.000 euro të dëmtuarve për të tërhequr kallëzimin.
Voja akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim. Ish-kryetari hetohet për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Juristi i Kadastrës dyshohet për falsifikim dhe shpërdorim detyre, ndërsa noterja për falsifikim në bashkëpunim. Prokuroria bën me dije se dyshime për të njëjtën skemë ekzistojnë edhe për prona të tjera shtetërore dhe hetimet vazhdojnë.
