Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës Erion Veliaj ka kallëzuar penalisht për shpërdorim detyre drejtoreshën e përgjithshme të burgjeve, Sadleva Bodo. Kallëzimi është dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës nga mbrojtja e kryebashkiakut, Plarent Ndreca dhe lidhet me transferimin e tij nga paraburgimi i Durrësit drejt Fierit dy javë më parë. Mbajtja sekret e urdhrit të transferimit dhe vonesat në garantimin e kujdesit shëndetësor arsyetohen në kallëzimin që tashmë pritet të shqyrtohet nga Porokuroria e Tiranës. Kryebashkiaku kërkon hetimin e ligjshmërisë së transferimit si dhe përcaktimin e përgjegjësive penale për zyrtarët e përfshirë. Vetëm pak ditë më parë, Veliaj iu drejtua kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Ballës me kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për pretendimet e tij lidhur me ndërhyrje dhe kërcënime nga kryeministri Edi Rama, nëpërmjet ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.