Një raport i ri psikiatrik ka nxjerrë në dritë detaje të rënda për gjendjen mendore të një 47-vjeçari nga Kosova, i dyshuar për vrasjen brutale të bashkëshortes së tij në Austri. Viktima, 38 vjeçe, ishte nënë e katër fëmijëve.

Sipas ekspertizës plotësuese, i dyshuari vuante nga çrregullime psikotike, të cilat kishin ndikuar rëndë në perceptimin e tij të realitetit. Ekspertët kanë arritur në përfundimin se, për shkak të gjendjes së tij mendore, ai nuk ishte penalisht i përgjegjshëm në momentin e kryerjes së krimit.

Ajo që ka tërhequr veçanërisht vëmendjen e hetuesve është bindja e 47-vjeçarit se bashkëshortja e tij ishte një shtrigë dhe praktikonte magjinë e zezë. Mendimet e tij, sipas raportimeve, dominoheshin nga demonët, forcat e errëta dhe skenarë të tjerë që nuk kishin lidhje me realitetin.

Nga dhuratat e Pashkëve te krimi brenda familjes

Ngjarja e rëndë ndodhi më 5 prill, në të dielën e Pashkëve, në qytezën Sooß, në Austrinë e Poshtme.

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga autoritetet, burri fillimisht i kishte dhënë bashkëshortes dhurata me rastin e festës. Por ajo që duhej të ishte një ditë familjare përfundoi në tragjedi.

Hetuesit dyshojnë se 47-vjeçari nxori një pistoletë Beretta dhe qëlloi tri herë në drejtim të gruas. Më pas, ai dyshohet se e sulmoi me një kaçavidë, duke e goditur rreth 40 herë në pjesën e sipërme të trupit.

Pas sulmit, gruaja kishte humbur ndjenjat. Sipas dosjes hetimore, i dyshuari e tërhoqi trupin e saj drejt kopshtit të banesës dhe e mbuloi me mbeturina.

Në hetim është përfshirë edhe një tjetër shtetas nga Kosova, 45 vjeç, i cili akuzohet se i kishte siguruar autorit armën e zjarrit, megjithëse dyshohet se ishte në dijeni të planit të tij.

Deklaratat e pazakonta pas arrestimit

Sjellja e 47-vjeçarit gjatë qëndrimit në paraburgim ka qenë një tjetër element i rëndësishëm në vlerësimin e gjendjes së tij psikiatrike.

Sipas informacioneve të publikuara, ai nuk kishte hequr dorë nga bindjet për ekzistencën e demonëve dhe magjisë së zezë, edhe pas arrestimit.

Madje, punonjësit e institucionit të vuajtjes së dënimit i përshkruante si njerëz të shpellave që po përgatiteshin për ferrin.

Këto deklarata, së bashku me vlerësimet e specialistëve, kanë përforcuar përfundimin e ekspertizës se i dyshuari vuante nga një çrregullim i rëndë psikotik.