Pas fitores 2-0 ndaj Finlandës, Kombëtarja shqiptare është rikthyer sot në fushë, duke nisur përgatitjet për ndeshjen e fundit të grupit C1 në Nations League, ndaj Bjellorusisë. Kuqezinjtë do të luajnë të dielën, në stadiumin “Illovszky Rudolf Stadion”, në orën 18:00.
Në seancën e sotme stërvitore, trajneri Maran e ndau grupin në dy pjesë. Lojtarët që nuk u aktivizuan në sfidën ndaj Finlandës zhvilluan një seancë të plotë stërvitore, të fokusuar kryesisht te puna me topin dhe ushtrimi i situatave të ndryshme të lojës. Ndërkohë, futbollistët që e nisën ndeshjen e djeshme nga minuta e parë zhvilluan një program rikuperimi në palestër dhe fizioterapi.
Kombëtarja do të vijojë përgatitjet edhe nesër, me seancën e fundit stërvitore që do të zhvillohet në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, përpara udhëtimit drejt Hungarisë.
Në prag të kësaj sfide, trajneri dhe një lojtar i Kombëtares do të dalin në konferencën zyrtare për mediat, e cila do të mbahet në sallën e konferencave të stadiumit “Illovszky Rudolf Stadion”, në orën 18:30.