Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka folur për zhvillimet politike dhe përgatitjet e opozitës për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Gjoni deklaroi se PD nuk do të kufizohet vetëm te emrat që vijnë nga radhët e saj, por do të jetë e hapur edhe për kandidatë nga shoqëria civile apo partitë aleate, në funksion të përzgjedhjes së figurave që mund të sigurojnë fitoren në zgjedhje.
“PD nuk do të mjaftohet vetëm me figura që vijnë nga PD. Nëse mund të fitojmë me kandidatë nga shoqëria civile, janë të mirëpritur, ose mund të jenë edhe nga partitë aleate. Në momentin që koalicioni krijon një bazë më të gjerë, do të krijohet edhe një emërues i përbashkët për të përcaktuar figurat fituese në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh ai.
Deputeti bëri të ditur gjithashtu se ditën e nesërme do të zhvillohet një takim mes PD-së, partive aleate dhe faktorëve të tjerë politikë, parlamentarë dhe joparlamentarë. Në fokus do të jenë diskutimet për krijimin e një platforme të përbashkët opozitare, duke përfshirë Kodin Zgjedhor, listat, kandidatët dhe përcaktimin e pragut elektoral.
Sipas Gjonit, qëllimi është arritja e një marrëveshjeje që favorizon bashkimin e opozitës dhe rrit mundësitë e saj për të fituar zgjedhjet e ardhshme.
Ai konfirmoi se Partia Demokratike do të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe se ka përgatitur tetë shtylla të cilat, sipas tij, janë në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
Gjoni u ndal te raportet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet, duke pretenduar se ndërthurja e shtetit me partinë, përdorimi i administratës publike në funksion të Partisë Socialiste, ndikimi i krimit të organizuar dhe korrupsioni zgjedhor mbeten ndër problemet kryesore që pengojnë rotacionin politik.
Ai përmendi gjithashtu rekomandimet e Komisionit të Venecias lidhur me koalicionet parazgjedhore, duke argumentuar se ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor kanë kufizuar mundësitë për krijimin e koalicioneve të tilla. Sipas tij, reforma e ardhshme duhet të adresojë këto problematika dhe të garantojë kushte më të barabarta për konkurrimin zgjedhor.
