Faqet anonime të lajmeve, financimi jotransparent dhe pretendimet për zhvatje po ngrenë shqetësime te bizneset dhe mbrojtësit e lirisë së shtypit, duke nxjerrë në pah një anë shqetësuese të zgjerimit të shpejtë të mediave digjitale në Shqipëri.
Kur prokuroria shqiptare arrestoi në shkurt administratorin e një portali lokal lajmesh, nga pretendimet e hetuesve doli në pah një propozim shqetësues: ose paguaj mijëra euro, ose përballu me një valë tjetër titujsh që të dëmtojnë reputacionin.
Sipas prokurorisë, administratori i portalit Priza.al, Elio Laze i kishte kërkuar 40 mijë euro një burri për të cilin ishin botuar shkrime kritike. Ai dyshohet se i kishte ofruar të ndërpriste publikimin e shkrimeve negative në këmbim të pagesës. Hetuesit thanë se shuma e kërkuar u ul më pas në 20 mijë euro. I dyshuari u arrestua më 12 shkurt, teksa dyshohet se po merrte 5 mijë euro.
Administratori u vu nën hetim nën dyshimet për mashtrim dhe zhvatje. Pretendimet ende nuk janë provuar në gjykatë.
Por rasti riktheu vëmendjen te një dukuri për të cilën gazetarët shqiptarë, shoqatat e biznesit dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë paralajmëruar prej vitesh: shtimi i portaleve që duket se shërbejnë më shumë si mjete presioni ndaj bizneseve sesa si media të pavarura.
Në Shqipëri, një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, ky problem nxjerr në pah një kontradiktë. Zgjerimi i mediave digjitale e ka bërë më të lehtë publikimin dhe më të arritshëm informacionin. Njëkohësisht, u ka hapur rrugë operatorëve, identiteti, burimet e financimit dhe motivet editoriale të të cilëve shpesh janë të vështira për t’u përcaktuar.
Për kompanitë që bëhen objekt i këtyre publikimeve, edhe një titull i vetëm që u dëmton reputacionin mund të kushtojë shtrenjtë, pavarësisht nëse pretendimet mbi të cilat mbështetet janë të vërteta.
Një industri lajmesh pa redaksi
Mediat online në Shqipëri janë zgjeruar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. Sipas vlerësimeve të cituara nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, në vend veprojnë qindra portale lajmesh në gjuhën shqipe, numri i të cilave mund të arrijë deri në 900.
Disa janë media të konsoliduara që punësojnë gazetarë profesionistë. Të tjera janë faqe interneti pa staf editorial të identifikuar qartë, pa adresë të regjistruar apo pa strukturë transparente pronësie.
Ky dallim ka rëndësi. Në Raportin për Sundimin e Ligjit të korrikut 2026, Komisioni Europian evidentoi përmirësime në legjislacionin shqiptar për transparencën e pronësisë së mediave. Ai vuri në dukje gjithashtu se detyrimet e reja për publikimin e të dhënave mbi pronësinë nuk zbatohen për median e shkruar dhe atë online.
Komisioni vijoi të shprehte shqetësime serioze për ndikimin e politikës dhe të biznesit mbi median, për përqendrimin e pronësisë dhe për mungesën e rregullave transparente në shpërndarjen e reklamave shtetërore. Këto dobësi strukturore e bëjnë veçanërisht të vështirë të kuptohet se çfarë interesash qëndrojnë pas një portali të caktuar. Një faqe mund të paraqitet si media pa u dhënë lexuesve informacion të mjaftueshëm se kush e zotëron, kush i redakton shkrimet apo si financohet.
Për bizneset, bëhet e vështirë të dallojnë nëse një shkrim që u dëmton reputacionin vjen nga një shqyrtim i përligjur gazetaresk, u shërben interesave të një konkurrenti apo është një përpjekje për t’u marrë para.
Kur reklamat nuk mjaftojnë
Mënyra se si funksionon ekonomikisht tregu shqiptar i mediave digjitale ndihmon për të kuptuar pse janë shfaqur praktika të tilla. Në një investigim të vitit 2020 për Transitions, gazetari Emirjon Senja përshkruante një treg ku financimi i një medieje të pavarur online vetëm me të ardhura nga reklamat ishte bërë jashtëzakonisht i vështirë.
Tregu i kufizuar i reklamave, shpërndarja preferenciale e buxheteve reklamuese dhe financimi nga palë me interesa të caktuara i kishin shtyrë mediat të kërkonin burime të tjera të ardhurash. Për pasojë, disa media vepronin brenda rrjeteve të ndikimit politik dhe ekonomik dhe mbështeteshin financiarisht tek ato, duke u varur më pak nga lexuesit dhe reklamuesit.
Në një treg të tillë të shtrembëruar, gazetaria mund të kthehet në mjet pazari. Presioni ndaj bizneseve mund të ushtrohet duke kërkuar para drejtpërdrejt, por edhe duke kërkuar kontrata reklamash, marrëveshje të favorshme biznesi apo trajtim preferencial.
Shoqata Shqiptare e Bankave ka ngritur shqetësime për publikime që kanë në shënjestër institucionet financiare, aksionerët dhe drejtuesit e tyre të lartë. Në korrespondencën e shqyrtuar për këtë shkrim, shoqata përshkruante artikuj që përmbanin të dhëna personale të shtrembëruara, pretendime të dyshimta dhe lidhje të paraqitura në mënyrë çorientuese mes individëve.
Shoqata paralajmëronte se disa publikime mund të synonin t’u bënin presion bankave që të rrisnin shpenzimet për reklama ose të ofronin trajtim preferencial në vendimet për dhënien e kredive. Këto shqetësime nuk provojnë se çdo shkrim kritik për një bankë është dashakeqës. Veprimtaria e institucioneve financiare është me të drejtë objekt raportimi në interes të publikut, sidomos në vende ku pushteti ekonomik dhe ai politik ndërthuren shpesh.
Vija ndarëse qëndron te qëllimi i publikimit dhe te fakti nëse vendimet editoriale përdoren si objekt pazari për përfitime private.
Kostoja e dëmtimit të reputacionit
Pasojat mund të shkojnë përtej sikletit që shkakton një publikim negativ. Në një ekonomi të vogël, pretendimet që dëmtojnë reputacionin mund të ndikojnë shpejt në marrëdhëniet me klientët, furnitorët, kredidhënësit dhe autoritetet publike. Një investigim i botuar nga Transitions dokumentoi se si raportimet për produkte bulmeti që dyshohej se ishin të kontaminuara kontribuuan në rrënimin e një kompanie shqiptare. Informacioni fillestar vinte nga autoritetet, por më pas u paraqit në mënyra që investigimi i cilësoi si çorientuese. Kompania fitoi më pas në gjykatë përballë autoriteteve shqiptare dhe iu njoh e drejta për 2,7 milionë euro dëmshpërblim.
Në këtë rast nuk u provua se kishte pasur zhvatje përmes medias. Ai tregoi, megjithatë, se si informacioni i kontestuar, kur merr jehonë në media, mund t’i shkaktojë një biznesi dëme afatgjata. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës ka raportuar shqetësime të ngjashme mes anëtarëve të saj.
Sipas deklaratave të përfshira në materialet e shqyrtuara për këtë shkrim, kryetari i Dhomës, Nikolin Jaka, paralajmëroi se publikimet çorientuese ose dashakeqëse u kishin dëmtuar bizneseve reputacionin, duke sjellë rënie të shitjeve dhe humbje të klientëve.
Situata ndërlikohet kur shkrimet qarkullojnë mes portaleve dhe llogarive në rrjetet sociale që kanë lidhje të tërthorta me njëra-tjetrën. Një pretendim mund të shfaqet fillimisht në një portal pak të njohur dhe më pas të ripublikohet gjetkë. Përsëritja mund të krijojë përshtypjen se pretendimi është konfirmuar nga burime të pavarura.
Edhe nëse artikulli origjinal hiqet më vonë, pamjet e ekranit, rezultatet e kërkimit dhe ripublikimet mund ta mbajnë akuzën në qarkullim shumë kohë pas botimit të parë. Të përcaktosh se kush mban përgjegjësi mund të jetë shumë më e vështirë sesa të provosh dëmin.
Një problem në rritje për vetë gazetarinë
Gjithnjë e më shumë profesionistë të medias në Shqipëri po e pranojnë se ky problem ekziston.
Në shtator, drejtori i Institutit Shqiptar të Medias, Remzi Lani tha se përdorimi i publikimeve në media për të siguruar përfitime financiare përbën një shqetësim real. Ai bëri dallimin mes kritikës së përligjur ndaj njerëzve me pushtet dhe përdorimit të gazetarisë për të siguruar reklama, favore apo pagesa.
Sipas tij, kur kërkohen para në këmbim të heqjes së një artikulli ose të ndërprerjes së një fushate publikimesh, çështja i kalon kufijtë e etikës profesionale dhe mund të përbëjë vepër penale.
Edhe gazetari Armand Shkullaku, në një intervistë të botuar po atë muaj, e përshkroi zhvatjen përmes medias si një dukuri të vazhdueshme në peizazhin mediatik shqiptar.
Por problemi ka edhe një anë tjetër. Vetë gazetarët e pavarur shqiptarë përballen me frikësim, presion politik, ngacmime dhe kërcënime me padi.
Në vlerësimin e vitit 2026, Komisioni Europian dokumentoi se ndaj gazetarëve vazhdojnë fushatat denigruese dhe paditë strategjike. Veçanërisht të ekspozuar mbeten gazetarët investigativë që raportojnë për korrupsionin, krimin e organizuar dhe kontratat publike.
Për këta gazetarë, prirja në rritje për ta lidhur median online me zhvatjen përbën një rrezik shtesë. Ajo mund t’u japë njerëzve me pushtet një pretekst për t’i zhvlerësuar investigimet e përligjura, duke i paraqitur si sulme të nxitura nga interesi financiar.
Vetë akuza për shantazh përmes medias mund të përdoret si mjet presioni ndaj shtypit.
Dilema e rregullimit
Autoritetet shqiptare prej vitesh e kanë pasur të vështirë të gjejnë një përgjigje të përshtatshme. Përpjekjet e mëparshme për të forcuar mbikëqyrjen shtetërore mbi mediat online hasën në kundërshtimin e gazetarëve dhe të organizatave ndërkombëtare për lirinë e shtypit.
Në vitin 2020, Komisioni i Venecias i Këshillit të Europës paralajmëroi se projektligjet kundër shpifjes mund të kufizonin lirinë e shprehjes dhe të frenonin debatin politik. Ky shqetësim mbetet aktual. Kërkesat që synojnë të bëjnë publik identitetin e atyre që drejtojnë faqe anonime mund të përdoren edhe për të imponuar licencimin e faqeve, për të penguar raportimin kritik ose për të frikësuar mediat më të vogla e të pavarura.
Lani ka argumentuar se Shqipëria duhet të përqendrohet te zbatimi i ligjeve në fuqi kundër zhvatjes dhe njëkohësisht të rrisë transparencën për pronësinë dhe përgjegjësinë editoriale. Kjo qasje do të mundësonte dallimin mes veprave penale dhe raportimeve që mund të ngjallin debat, por janë të përligjura.
Gjithashtu, do të ruante dallimin mes regjistrimit, licencimit dhe transparencës, tri koncepte me kuptime të ndryshme. Ky dallim është thelbësor në një vend ku pronësia e mediave, interesat e biznesit dhe ndikimi politik janë ndërthurur prej kohësh.
Një provë për ambiciet europiane
Vështirësitë me të cilat përballet Shqipëria hasen edhe në vende të tjera. Në të gjithë Europën, platformat digjitale kanë dobësuar modelet tradicionale të financimit përmes reklamave dhe ua kanë bërë më të lehtë aktorëve politikë dhe ekonomikë të shpërndajnë informacion pa marrë përgjegjësi editoriale. Por në Shqipëri, ndërthurja e pronësisë jotransparente të mediave, presioneve ekonomike dhe shqetësimeve për zbatimin e ligjeve në fuqi e ka bërë tregun veçanërisht të cenueshëm. Për kompanitë ndërkombëtare dhe investitorët, pasojat shkojnë përtej mundësisë që të botohet një shkrim negativ për ta.
Për të vlerësuar rrezikun ndaj reputacionit, gjithnjë e më shumë duhet të kuptohet se kush po e publikon një pretendim, çfarë provash e mbështesin dhe nëse burimet që duken të ndara janë vërtet të pavarura nga njëri-tjetri. Një pretendim i përsëritur në disa faqe anonime nuk bëhet domosdoshmërisht më i besueshëm nga përsëritja. Për Shqipërinë, sfida më e thellë është të mbrojë dy parime që mund të duken sikur bien ndesh, por që në thelb lidhen me njëri-tjetrin: mbrojtjen e bizneseve dhe të individëve nga zhvatja dhe ruajtjen e lirisë së gazetarëve për të hetuar interesa të fuqishme.
Që shtypi të kryejë rolin e tij, duhet të jetë në gjendje të zbulojë shkeljet pa frikën e hakmarrjes. Ai duhet gjithashtu të mbajë përgjegjësi për atë që publikon. Ndërsa Shqipëria ecën drejt integrimit në Bashkimin Europian, pyetja është nëse institucionet e saj mund t’i mbrojnë të dyja këto parime. Sepse kur një shkrim që dëmton reputacionin mund të blihet, të shitet ose të zhduket, pasojat shkojnë përtej personit apo kompanisë që është vënë në shënjestër./EU Policies.com/




