Profesionistët e rinj të shëndetësisë do të mund t'i nënshtrohen drejtpërdrejt Provimit të Shtetit sapo të përfundojnë praktikën profesionale, pa kaluar më në procedurat e ndërmjetme të vlerësimit nga Urdhrat Profesionalë. Arben Muçaj, Kreu i Urdhrit të Stomatologut i ftuar sot në ‘Sot Live në Shqipëri’, tha se ky provim që jepnin profesionistët e rinj ishte i ekzagjeruar.

“Profesionistët e fushës së shëndetësisë janë të të kategorizuar sipas profilit të vetë në urdhrat përkatës, në urdhërin e mjekut, urdhërin e farmacistit, urdhërin e infermierit dhe urdhërin e stomatologut. Këta profesionistë me një VKM të dikurshme që filluar që prej vitit 2014 pas provimit, pas diplomimit i nënshtroheshin sipas profilit përkatës dhe konkretisht përveç profesionistëve të urdhërit të mjekut, të gjithë profesionet e tjera kishin vënë të detyrueshme provimin, ai që quhet provimi VAP ose provimi i vlerësimit të aftësive praktike të këtyre kandidatëve që do të dilin në jetë si profesionist të vërtetë. Në konceptin tonë ka qenë i ekzagjeruar tej mase pastaj pasi ishte një hallkë shumë e tepërt”, tha Arben Muçaj.

Muçaj shtoi se për këtë provim fillimisht ishte vendosur një tarifë prej 100 eurosh që më pas u katërfishua dhe arriti në vlerën 400 euro.

“Unë dua të ndalem pak te urdhëri i stomatologut dhe si nisi kjo iniciativë. Në maj të këtij viti, në provimin e radhës, ne duke kallëzuar gjithë strukturat zaptuese të urdhërit stomatologut që prej tetorit të 2024-s u vu re që këta zaptues të urdhërit stomatologut i katërfishuan çmimet e provimit të praktikës të stomatologut. Çuditërisht në majin e kaluar filloi një katërfishim i çmimit që rëndonte mbi kurrizin e të gjithëve. Provimi është shumë i tepërt dhe falenderoj kryeministrin dhe dy ministret që morën këtë vendim edhe pse pak i vonë. Pra tarifa nga 100€ që ishte u bë 400 euro”, tha ai.

Muçaj tha se ky ishte një çmim abuzues, jo vetëm për profesionistët e rinj por edhe për familjet e tyre.

“Tarifat tarifat vihen nga Këshilli Kombëtar i Urdhërit në marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë. Në këtë rast ata që kanë vendosur këto tarifa dhe unë gjej të gjej rastin dhe do ju falenderoj sepse shumica më quajnë mua si atributin e këtyre tarifave, por nuk jam unë. Këto tarifa shumë abuzuese janë vënë në kurriz të gjithë stomatologëve, të gjithë prindërve të tyre”, tha Muçaj.

Sipas Muçajt në rrjete sociale kishte faqe që ofronin kurse për profesionistët e rinj që do t'i nënshtroheshin këtij provimi.

"Në rrjete sociale bënin kurse para se të bëhej ky provim. Në maj kanë hyrë mbi 450 studentë dhe kanë kaluar rreth 200. Tarifat janë keqpërdorur dhe denoncimet janë pafund në të gjitha instuticionet e ligjit. Vetë programet mësimore, janë programe që çdo stomatolog mund të punojë kudo, përderisa këta njerëz kanë marrë një diplomë kanë kryer praktikën një vjeçare, përse duhet të bëhen këto zgjatje kot. Çdo gjë është në kurriz të stomatologëve që studiojnë për pesë vite. Tarifa nuk duhet të kishte kaluar në këtë shumë. Kur hyjnë për herë të dytë në provim, atyre iu dyfishohet tarifa. Tarifa është e pajustifikuar dhe një vjedhje e hapur ", tha Muçaj teksa bëri apel që institucionet përkatëse duhet të hetojnë më shumë rreth kësaj çështjeje.