Friday / November 13 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota Europa

Samiti i Dublinit, Europa kërkon të ulë varësinë nga gjigantët amerikanë të teknologjisë

Share Share Icon

Europa kërkon të fitojë pavarësi teknologjike dhe të konkurrojë me SHBA-në dhe Kinën në garën globale të Inteligjencës Artificiale. Ky është një nga objektivat kryesorë të samitit të udhëheqësve europianë në Dublin, më 12-13 nëntor, ku po diskutohen investimet në teknologji, zhvillimi i modeleve europiane të Inteligjencës Artificiale dhe zvogëlimi i varësisë nga infrastruktura dixhitale e kompanive amerikane.

Samiti nisi në një moment që nxori në pah pikërisht dobësinë që Europa kërkon të kapërcejë. Një ndërprerje globale e shërbimeve të Microsoft, përfshirë Outlook dhe Teams, preku më shumë se 70 vende dhe ndikoi edhe në organizimin e takimeve në Dublin.

Incidenti riktheu në qendër të vëmendjes varësinë e institucioneve publike dhe bizneseve europiane nga kompanitë amerikane, jo vetëm për programet kompjuterike, por edhe për shërbimet cloud dhe infrastrukturën dixhitale.

Aktualisht, tregu global i inteligjencës artificiale dominohet nga kompanitë amerikane dhe kineze. Europa mbështetet në teknologjitë e tyre për modelet e avancuara, çipat dhe fuqinë përpunuese, ndërsa zhvillimi i alternativave europiane kërkon investime të mëdha.

Debati kryesor ekonomik është nëse BE-ja duhet të investojë për të krijuar modele të Inteligjencës Artificiale që konkurrojnë drejtpërdrejt me ato amerikane dhe kineze, apo të përqendrohet në përdorimin e teknologjive ekzistuese për të rritur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e industrisë europiane.

Në diskutime mori pjesë edhe Arthur Mensch, drejtuesi i kompanisë franceze Mistral, një prej përfaqësuesve kryesorë të industrisë europiane të IA. Ai ka mbështetur vazhdimisht zhvillimin e modeleve të avancuara europiane, në vend të mbështetjes vetëm te teknologjitë e huaja.

Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, kundërshtoi idenë se Europa e ka humbur garën e IA-së. Sipas saj, kontinenti ka talentin, ekspertizën industriale, ekosistemin dhe kompanitë e nevojshme për të konkurruar, por duhet të ketë më shumë besim në kapacitetet e veta.

Kryeministri i Estonisë, Kristen Michal, theksoi se përfitimet ekonomike të inteligjencës artificiale duhet të shtrihen në të gjithë shoqërinë dhe të mos përqendrohen vetëm te një numër i vogël miliarderësh.

Buxheti europian, përplasje për shpenzimet dhe prioritetet

Paralelisht me teknologjinë, udhëheqësit po diskutojnë edhe buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të Bashkimit Europian, ku përplasen kërkesat për financimin e prioriteteve të reja me presionin për kufizimin e shpenzimeve.

Austria dhe vendet e tjera që kërkojnë disiplinë fiskale po ushtrojnë presion për një buxhet më të vogël. Kancelari austriak, Christian Stocker, kërkoi një propozim të ri që të ulë ndjeshëm vëllimin e shpenzimeve, duke mbrojtur njëkohësisht fondet për bujqësinë dhe kohezionin.

Financimi i Ukrainës është një tjetër pikë mosmarrëveshjeje. Stocker mbështeti qëndrimin e kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili kërkon që miratimi i buxhetit të lidhet me marrëveshjen për një hua të re europiane për Ukrainën.

Në samit është ngritur edhe çështja e zbatimit të rregullave europiane të privatësisë ndaj kompanive të mëdha teknologjike. Irlanda, ku kanë selitë europiane disa prej gjigantëve amerikanë, është vënë nën presion për mbikëqyrje më të fortë. Autoriteti irlandez i mbrojtjes së të dhënave deklaron se ka vendosur mbi 4.4 miliardë euro gjoba që nga hyrja në fuqi e GDPR në vitin 2018.

Në axhendën e diskutimeve është edhe pasardhësi i Christine Lagarde në drejtimin e Bankës Qendrore Europiane, ndërsa çështja e përfaqësimit të Europës në negociatat për Ukrainën vazhdon të ndajë udhëheqësit e kontinentit. / POLITICO

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Azi / Bota /

Kina zhvillon manovra ushtarake me mbi 100 anije pranë Tajvanit, rriten tensionet në Paqësor

Kina ka zhvilluar manovra ushtarake në shkallë të gjerë në Paqësorin Perëndimor dhe përreth Tajvanit, duke mobilizuar në një moment më shumë se 100...

4 hours më parë 3 Min Lexim
Bota /

Nafta, tregu botëror kalon në tepricë furnizimi, por karburantet mbeten të shtrenjta

Tregu botëror i naftës ka kaluar në tepricë furnizimi për herë të parë që nga fillimi i luftës mes SHBA-së dhe Iranit, por çmimet e karburanteve va...

4 hours më parë 3 Min Lexim
Azi /

Fundi i epokës së Jensen Huang

4 hours më parë 10 Min Lexim
Ads
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!