Report Tv ka siguruar draftin e Partisë Demokratike për Reformën Zgjedhore, që po u prezantohet deputetëve demokratë në mbledhjen e grupit parlamentar.

Report Tv ka zbardhur këtë draft, ku një nga pikat kryesore është ndarja e partisë nga shteti

Sali Berisha tha se PD propozon lista të hapura, si dhe barazi mes mazhorancës dhe opozitës në vendimmarrjen e KQZ-së.

Parimi horizontal dhe kufiri shtet–parti

Asnjë institucion publik, organ qendror apo vendor, ndërmarrje nën kontrollin publik, titullar, funksionar ose punonjës nuk mund të përdorë ose të lejojë përdorimin e funksionit, autoritetit, burimeve dhe informacionit që administron për të mbështetur ose dëmtuar një subjekt zgjedhor, kandidat apo sjelljen politike të zgjedhësit.

Burim shtetëror është çdo përparësi materiale ose jomateriale që lidhet me ushtrimin e pushtetit publik: fondet, pagesat, pasuria, mjediset, automjetet, kontratat, koha e personelit, kompetenca normative dhe administrative, kontrolli e inspektimi, shërbimi, informacioni, regjistrat dhe të dhënat personale, infrastruktura e komunikimit, dukshmëria dhe prestigji i funksionit. Ndalimi ndjek funksionin dhe kontrollin real, jo emërtimin formal të subjektit. Ndërmjetësimi nga operatorë, organizatorë apo kontraktorë privatë nuk mund ta ligjërojë atë që institucioni nuk mund ta bëjë vetë.

Ndarja e shtetit nga partia nuk është ndalim i shtetit për të vepruar; është detyrimi i tij për të vepruar neutralisht. Qeverisja, shërbimet, pagesat, investimet, prokurimet dhe kontrollet e ligjshme vazhdojnë. Kufiri kalohet kur kompetenca ose burimi devijohet nga qëllimi publik për të krijuar përfitim elektoral, presion, diskriminim ose hakmarrje politike.

Ndalimi duhet të jetë neutral ndaj subjektit politik dhe të zbatohet njësoj në qeverisjen qendrore e vendore, në institucionet në varësi dhe në ndërmarrjet publike, pavarësisht partisë që ushtron pushtetin. Nuk është e nevojshme që zyrtari të jetë kandidat. Mjafton që të veprojë duke përdorur kompetencën ose burimin publik në funksion të përfitimit apo dëmtimit elektoral. Nga ana tjetër, cilësimi i një veprimi si politik nuk e bën automatikisht të paligjshëm: duhet identifikuar elementi i ndaluar në mënyrë të parashikueshme dhe të provueshme.

Reforma nuk cenon lirinë e bindjes politike, të votës, të shprehjes apo të organizimit të individit. Kufiri juridik është ndërmjet sjelljes personale të ligjshme dhe përdorimit të pushtetit ose varësisë administrative. Kufizimet për kategori të veçanta funksionarësh apo punonjësish, kur janë të nevojshme, kërkojnë bazë të veçantë ligjore, kohëzgjatje të përcaktuar dhe mbrojtje efektive nga ndërhyrja e pajustifikuar në të drejtat e tyre.

Lajmi në përditësim....

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë