86 doktorantë nga 15 universitete publike dhe private në Shqipëri kanë fituar mbështetje financiare për projektet e tyre kërkimore gjatë vitit 2026. Numri i projekteve fituese është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar, kur u financuan 39 projekte, ndërsa fondi në dispozicion të doktorantëve është gjashtëfishuar.
Rezultatet e Programit Kombëtar të Doktoraturave dhe të Ciklit të Tretë të Studimeve u prezantuan nga ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, Daniel Pirushi.
Rreth 50% e projekteve fituese u përkasin fushave të shkencës, teknologjisë, inxhinierisë, matematikës dhe mjekësisë. Mes fushave të mbështetura janë edhe nanoteknologjia, trashëgimia kulturore dhe arkitektura.
Një prej doktorantëve që ka fituar financim do të zhvillojë gjithashtu një bashkëpunim me Organizatën Europiane për Kërkime Bërthamore, CERN, në Gjenevë, ku Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor do të jetë bashkëfinancuese.
“Konstatojmë që kemi 50% të projekteve fituese të fushave të shkencës, teknologjisë, inxhinierisë, matematikës, studimeve në fushën mjekësore, nanoteknologjisë e me radhë”, deklaroi Kumbaro.
Sipas të dhënave të prezantuara, në vitin 2025, kur programi nisi për herë të parë, u financuan 39 projekte. Këtë vit numri arriti në 86, ndërsa fondi mbështetës u rrit gjashtë herë.
Financimi për kërkimin shkencor parashikohet të rritet edhe në vitin 2027. Buxheti për këtë fushë pritet të jetë 28.2% më i lartë se në vitin 2026, ndërsa fondi për investimet në laboratorët shkencorë të universiteteve publike do të dyfishohet.
“Viti 2026 ka gjashtëfishim të fondit mbështetës në dispozicion të doktorantëve. Për vitin 2027 kemi një rritje për fushën e kërkimit shkencor me 28.2% krahasuar me vitin 2026”, tha ministrja.
Ndërkohë, drejtoresha e AKKSHI-t, Daniel Pirushi, bëri të ditur se thirrja për aplikime u hap më 1 tetor dhe u mbyll më 30 tetor. Vlerësimi i projekteve dhe shpallja e fituesve u përfunduan brenda dy javësh.
Programi synon të mbështesë kërkuesit e rinj shkencorë dhe të zgjerojë mundësitë për zhvillimin e studimeve doktorale në universitetet shqiptare.











Komente
Komento