Punimi dhe plehërimi, fazë e rëndësishme për pemët/Specialistët: Mos nxitoni me krasitjen
Për kultivuesit e pemëve frutore në Kukës, kjo periudhë shënon nisjen e një faze të rëndësishme për kujdesin ndaj pemëtoreve. Pas përfundimit të sezonit të prodhimit, vëmendja e fermerëve përqendrohet te punimet.
Agronomi Sherif Visha këshillon fermerët që në këtë fazë t’i kushtojnë rëndësi të veçantë plehërimit të pemëve.
“Me rënien e shiut, unë do t’u sugjeroja fermerëve që të vazhdojnë proceset e plugimit, veçanërisht rreth kurorës së pemëve”, u shpreh agronomi, Sherif Visha.
Një tjetër proces që kërkon vëmendje të veçantë është krasitja. Pavarësisht kërkesës së fermerëve për të nisur këtë proces, specialistët këshillojnë që krasitja të mos kryhet gjatë këtij muaji.
“Me rënien e gjetheve, pas dy javësh mund të vazhdohet edhe me krasitjen, sepse krasitjen në këtë periudhë nuk e sugjeroj. Edhe interesi i fermerëve është i tillë. Jo, nuk mund të bëhet, sepse bima ende nuk ka hyrë në qetësinë dimërore”, tha ai.
Respektimi i afateve të përshtatshme për çdo shërbim agroteknik është thelbësor për të garantuar shëndetin e pemëve dhe një prodhim të qëndrueshëm. Për fermerët e Kukësit, kujdesi i duhur në këtë periudhë mbetet një investim i rëndësishëm për sezonin e ardhshëm bujqësor.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



