86 doktorantë përfitojnë financim për studimet kërkimore, Kumbaro: Dyfishohen projektet fituese në 2026

Arsim | 7 minuta më parë

86 doktorantë nga 15 universitete publike dhe jopublike në Shqipëri do të përfitojnë mbështetje financiare për projektet e tyre kërkimore, në kuadër të Programit Kombëtar të Doktoraturave dhe të Ciklit të Tretë të Studimeve për vitin 2026.

Rezultatet e programit u prezantuan nga ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, Daniel Pirushi.

Gjatë prezantimit, Kumbaro bëri të ditur se këtë vit janë shpallur fituese 86 projekte kërkimore, duke shënuar një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin 2025, kur u financuan vetëm 39 projekte.

“Gjatë muajit tetor kishim hapur në Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor thirrjen për të mbështetur dhe për të shpërndarë grantet, për studimet doktorale të kërkuesve tanë shkencor në universitete publike dhe jopublike. Kjo thirrje tashmë ka mbaruar dhe më vjen shumë mirë që të ndaj me ju, rezultate e një financimi shumë të rëndësishëm që ka nxjerrë 86 projekte fituese, pra 86 doktorantë kanë fituar mbështetjen financiare nga Agjencia jonë e Kërkimit Shkencor dhe këto të shtrirë në 15 universitete publike dhe jopublike”, tha Kumbaro.

Sipas ministres, rreth 50% e projekteve fituese i përkasin fushave të shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, si dhe studimeve mjekësore e nanoteknologjisë. Mbështetje do të ketë edhe për projekte që lidhen me trashëgiminë kulturore dhe arkitekturën.

Një prej projekteve të financuara parashikon gjithashtu bashkëpunim me CERN-in, Organizatën Evropiane për Kërkime Bërthamore në Gjenevë, ku AKKSHI do të jetë bashkëfinancuese.

“Konstatojmë që kemi 50% të projekteve fituese, të fushave të shkencës, teknologjisë, inxhinierisë, matematikës, studimet në fushën mjekësore, nanoteknologji e me rradhë, pra le të themi që të gjitha fushat prioritare të zhvillimit të ekonomisë së Shqipërisë janë të mbuluara, pa dyshim ka edhe trashëgimi kulturore dhe arkitekturën, por njëri prej këtyre doktorantëve të financuar nga AKKSHI- ja do të jetë gjithashtu edhe një bashkëpunim shumë interesant me CERN- in që është Organizata Europiane për Kërkime Borthamore në Gjenevë, ku AKKSHI, bëhet bashkëfinancuese”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro theksoi se mbështetja për kërkimin shkencor do të vijojë të rritet edhe gjatë vitit 2027. Sipas saj, buxheti për këtë fushë parashikohet të jetë 28.2% më i lartë krahasuar me vitin 2026, ndërsa fondi për investimet në infrastrukturën laboratorike të universiteteve publike do të dyfishohet.

“Dua të ndaj edhe gjithashtu një tjetër të dhënë interesante që ma vure në dukje, për vitin 2025, viti i parë kur u hap ky program kemi pasur vetëm 39 projekte fituese, dyfishohet në vitin 2026 me 86 projekte fituese, por e dhëna tjetër më interesante është që viti 2026 ka 6-fishim të fondit mbështetës në dispozicion të doktorantëve. Edhe me këtë dua të theksoj edhe një elementë tjetër që e kam përmendur edhe gjatë mbrojtjes së buxhetit të arsimit të vitit 2027, kemi një rritje për fushën e kërkimit shkencor me 28.2% krahasuar me vitin 2026, prandaj investimet në mbështetjet financiare shtohen për kërkuesit shkencor, duhet të vazhdojmë gjithë punën për rritjen e standarteve dhe të nxisim studiuesit të aplikojnë në mbështetje edhe të studimeve doktorale edhe të projekteve të tjera zhvillimore por edhe të infrastrukturës zhvillimore për të cilën do të kemi një dyfishim të buxhetit dedikuar investimit në laboratore shkencore për të gjitha universitetet publike të Shqipërisë”, tha Kumbaro.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme