Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbledhur Grupin Parlamentar të PD-së, ku në fokus të diskutimeve është reforma zgjedhore dhe adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka akuzuar përfaqësuesit e mazhorancës për shkelje të rregullave të komisionit bipartizan, duke drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësuesit të tij në këtë proces, Damian Gjiknuri.
Ai deklaroi se opozita duhet të bashkohet për reformën zgjedhore dhe u bëri thirrje të gjitha partive opozitare të bëhen pjesë e procesit.
Berisha theksoi se PD-ja është e gatshme të marrë parasysh shqetësimet e tyre dhe se interesi i bashkimit të opozitës do të vendoset mbi interesat partiake, me synimin për të hartuar një kuadër ligjor sa më të pranueshëm për të gjithë.
Duke iu referuar rekomandimeve të OSBE/ODIHR, Berisha tha se Komisioni Evropian ka konstatuar në raportet e tij se autoritetet shqiptare nuk kanë adresuar pothuajse asnjë prej tyre.
“Në këtë mbledhje, deputetët e PD-së do të njihen dhe do të diskutojnë mbi punën që ka bërë kryetari i grupit të punës për reformën zgjedhore dhe anëtarët, në mënyrë që t’u jepet përgjigje një për një të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit dhe të parafundit. Siç jeni në dijeni, Komisioni Evropian konstaton në raportet e tij se këto rekomandime nuk janë adresuar pothuajse asnjë nga autoritetet shqiptare”, u shpreh Berisha.
Ai kritikoi mënyrën e funksionimit të komisionit bipartizan, duke pretenduar se përfaqësuesit e mazhorancës kanë vepruar në mënyrë të njëanshme në përcaktimin e agjendës.
“Komisioni bipartizan i ngritur për reformën zgjedhore mbi bazën e vendimeve është një komision ku secila palë ka veton, pra asnjë hap nuk mund të bëhet pa ujdinë e palës tjetër. Në mënyrë të njëanshme, si gangsterë të vërtetë, përfaqësuesi i Edi Ramës, Damian Gjiknuri me anëtarët e tij, për të krijuar skenarin pak a shumë të reformës territoriale, menduan të përcaktojnë në mënyrë të njëanshme agjendën e këtij komisioni”, deklaroi kreu i PD-së.
Berisha e cilësoi përcaktimin e njëanshëm të agjendës si të paligjshëm dhe në kundërshtim me vendimin e Parlamentit. Ai vijoi me akuza ndaj kryeministrit Rama dhe përfaqësuesve të mazhorancës në këtë proces.
Në përfundim, Berisha përsëriti thirrjen për bashkimin e opozitës dhe deklaroi se Partia Demokratike është e gatshme të vendosë interesin e përbashkët mbi atë partiak.
“Duhet të bashkohemi për këtë reformë. I ftoj partitë opozitare. Jemi të gatshëm që të marrim parasysh të gjitha shqetësimet e tyre. Do të vëmë interesin e bashkimit të opozitës të parin, jo të PD-së. Ky është nderi ynë. Do të vendosim interesin e bashkimit të opozitës për një kuadër ligjor, sa më të pranuar nga mbarë opozita. Jemi pro listave të hapura”, tha ai.