Nga samiti i Bashkimit Evropian në Dublin, Kallas paralajmëroi se diskutimi i kërkesave të Moskës, përpara ndalimit të luftimeve, do të ishte një kurth që do të largonte vëmendjen nga lufta në Ukrainë. Deklarata vjen pas takimit të të dërguarve amerikanë me presidentin rus Vladimir Putin. Përfaqësuesit e Uashingtonit njoftuan se Evropa do të përfshihet në negociatat e ardhshme, por Kremlini sqaroi se ende nuk është marrë një vendim për këtë çështje. Moska kërkon që bisedimet të përfshijnë edhe rishikimin e marrëveshjeve të sigurisë në kontinent, përfshirë kërkesat që lidhen me NATO-n, një qëndrim që ka shkaktuar shqetësim te aleatët evropianë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se pjesëmarrja e Evropës në negociata është e domosdoshme për mbrojtjen e interesave të saj dhe mbështetjen e Ukrainës. Ndërkohë, brenda Bashkimit Evropian kanë nisur diskutimet se kush duhet ta përfaqësojë kontinentin në tryezën e bisedimeve me Rusinë. Disa vende mbështesin pjesëmarrjen e përbashkët të Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe institucioneve evropiane, ndërsa të tjera kërkojnë një përfaqësues të vetëm. Kaja Kallas e konsideroi veten një kandidate të mundshme, duke theksuar se Rusia nuk mund të vendosë se kush do ta përfaqësojë Evropën. Sipas saj, Moska nuk dëshiron përballë një negociator të fortë, pasi synon të imponojë kërkesat e saj maksimale në bisedimet për përfundimin e luftës.