Hakerë të lidhur me regjimin e Koresë së Veriut kanë arritur të vjedhin më shumë se 400 milionë dollarë në kriptovaluta, duke përdorur video-thirrje të falsifikuara për të mashtruar viktimat. Sipas FBI-së, mbi 900 persona kanë rënë pre e kësaj skeme gjatë 18 muajve të fundit. Operacioni kibernetik, i njohur me emrin “FaceStealer”, kishte në shënjestër kryesisht profesionistët e sektorit të kriptovalutave dhe zhvilluesit e programeve kompjuterike. Hakerët përdornin profile të rreme ose të vjedhura në rrjetet sociale për të ftuar viktimat në video-thirrje që imitonin platformat Zoom, Microsoft Teams dhe Google Meet. Gjatë bisedës shfaqeshin pamje të regjistruara më parë të personave që viktimat i njihnin, duke krijuar përshtypjen e një komunikimi të vërtetë. Më pas, zëri ndërpritej qëllimisht dhe në ekran shfaqej një mesazh që kërkonte klikimin e një lidhjeje për të rregulluar problemin teknik. Në të vërtetë, lidhja instalonte një program keqdashës që u jepte hakerëve akses në pajisjen e viktimës, kontaktet dhe aplikacionet e saj. FBI zbuloi se hakerët regjistronin fshehurazi edhe video-thirrjet, për t'i përdorur më pas në mashtrimin e personave të tjerë. Autoritetet amerikane e cilësuan këtë metodë si jashtëzakonisht të sofistikuar, pasi mund të mashtrojë edhe përdorues me përvojë në sigurinë kibernetike. Sipas FBI-së, paratë e përfituara nga vjedhjet e kriptovalutave përdoren nga regjimi i Koresë së Veriut për financimin e programeve të paligjshme të armatimit. vetëm një javë pasi platforma Binance raportoi një tjetër sulm kibernetik, me vlerë rekord prej 6.3 miliardë dollarësh, për të cilin autoritetet amerikane akuzojnë gjithashtu hakerë të lidhur me Phenianin.