PD prezanton paketën e plotë të propozimeve për Reformën Zgjedhore, 8 fushat ku kërkon ndërhyrje
Partia Demokratike ka prezantuar paketën e plotë të propozimeve në kuadër të Reformës Zgjedhore.
Nënkryetari Oerd Bylykbashi bëri të ditur se paketa parashikon ndërhyrje në tetë fusha, me qëllim garantimin e ndarjes së shtetit nga partia dhe parandalimin e përdorimit të burimeve publike për përfitime elektorale.
Tetë fushat ku propozohet ndërhyrja janë: administrata publike; pushteti normativ, fiskal dhe social; buxheti, prokurimet dhe investimet; patronazhimi; kontrolli dhe pushteti shtrëngues; të dhënat personale të qytetarëve; funksioni publik dhe aktivitetet zyrtare; si dhe propaganda institucionale dhe mediat që, sipas PD-së, vihen në funksion të partisë-shtet.
Bylykbashi deklaroi se ndarja mes shtetit dhe partisë duhet të garantohet gjatë gjithë kohës dhe jo vetëm gjatë periudhës zgjedhore. Sipas tij, përdorimi i mekanizmave dhe aseteve shtetërore për qëllime politike ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si zhvillohet procesi zgjedhor.
“Partia-shtet intimidon zgjedhjet, sa kohë nuk zgjidhet në mënyrë të plotë. Do të ndikonte në mënyrën se si funksionon procesi zgjedhor. Kemi përgatitur një paketë të plotë: ndarja e shtetit nga partia, PS e ka kthyer në një makineri kundër zgjedhjeve. Trajton abuzimin e aseteve shtetërore, është një periudhë më e gjatë dhe e përhershme. Shteti duhet të jetë i ndarë nga partia gjatë gjithë kohës. Është një sistem i tërë që duhet trajtuar, ndarja shtet-parti, gjithashtu e lidhur me kapitujt e BE-së”, u shpreh Bylykbashi.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për masa të forta dhe proporcionale, në përputhje me rekomandimet e OSBE-së, duke përmendur edhe një periudhë 10-vjeçare për zbatimin e disa ndalimeve dhe garancive.
Paketa e propozuar nga demokratët synon të vendosë kufizime mbi përdorimin e administratës, fondeve publike dhe mekanizmave shtetërorë në funksion të interesave partiake, duke parashikuar edhe masa ndëshkuese për shkeljet.
Tetë propozimet kryesore të PD-së
1. Administrata publike
Mbrojtja e administratës publike nga presioni politik dhe hierarkik, si dhe garantimi i neutralitetit të saj.
2. Pushteti normativ, fiskal dhe social
Kjo përfshin atë që ne e njohim shumë mirë: miratimin e bonuseve, pensioneve, shtesave të pagave, pagës së 13-të, si dhe fondeve që jepen nëpërmjet prokurimeve publike. Pra, çdo vendimmarrje e shtetit, e realizuar përmes akteve ligjore dhe nënligjore, e cila synon të krijojë deformime gjatë periudhës zgjedhore.
3. Buxheti, prokurimet dhe investimet
Ndalimi i përfitimeve elektorale nga fondet dhe pasuria publike, duke ruajtur njëkohësisht funksionimin normal të ekonomisë.
Kjo paketë nuk synon të ndalojë funksionimin e shtetit dhe të ekonomisë. Çdo tejkalim apo abuzim do të vlerësohet në mënyrë të veçantë dhe do të sanksionohet sipas rastit.
4. Patronazhimi
Ndalimi i rrjeteve që përdorin administratën, punësimin dhe shërbimet publike për të ndikuar në sjelljen politike të qytetarëve.
Ne të gjithë tashmë e dimë se çfarë është sistemi i patronazhimit, sa piramidal dhe i organizuar në çdo hallkë është ai, aq sa rrjetet e patronazhimit kanë arritur të përmenden edhe në dokumentet kryesore të Bashkimit Europian si një faktor negativ në lidhje me zgjedhjet.
Rasti tipik është ‘Prania Besnike’ dhe regjistri i pranisë besnike i Partisë Socialiste. Përpjekja për t’i dhënë legjitimitet kësaj mënyre patronazhimi bëhet nëpërmjet kushtëzimit të aksesit të qytetarëve në shërbimet publike, duke i detyruar ata të paraqiten pranë Partisë Socialiste dhe duke përdorur regjistrin e pranisë besnike si instrument për të kushtëzuar marrjen e këtyre shërbimeve.
Pra, kjo praktikë do të ndalohet dhe do të ndëshkohet ashpër.
5. Kontrolli dhe pushteti shtrëngues
Ndalimi i përdorimit të inspektimeve, kontrolleve dhe masave administrative selektive si instrumente për ushtrimin e presionit elektoral. Edhe këto praktika do të ndalohen.
6. Të dhënat personale të qytetarëve
Kjo fushë përfshin të dhënat që zotëron shteti ose që, në një mënyrë të caktuar, janë nën kontrollin e tij, por edhe ato që subjekte të tjera private arrijnë të kontrollojnë.
Synimi është ndalimi i përdorimit të bazave shtetërore të të dhënave për profilizim politik, targetim dhe kontroll të zgjedhësve.
Sot, përmes mekanizmave tashmë të sofistikuar, kontrolli ka kaluar nga kontrolli i votës te kontrolli i vetë zgjedhësit, te identifikimi i profilit të tij dhe ushtrimi i presionit ndaj tij, si dhe te ofrimi i parave apo shërbimeve në këmbim të votës. E gjithë kjo praktikë do të ndalohet.
7. Funksioni publik dhe aktivitetet zyrtare
Këtu përfshihen praktikat që të gjithë i njohim: ndalimi i inaugurimeve, vizitave dhe inspektimeve, si dhe i përdorimit të autoritetit shtetëror nga kryeministri, ministrat dhe drejtuesit e lartë, pikërisht për të krijuar avantazhe dhe përshtypje të caktuara gjatë fushatës zgjedhore.
8. Propaganda institucionale dhe media
Ndalimi i përdorimit të arritjeve dhe aktiviteteve institucionale, përmes propagandës dhe mediave, në funksion të partisë në pushtet.
Pas prezantimit të propozimeve, kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se kushti kryesor për zgjedhje të lira dhe të ndershme është largimi i Edi Ramës, ndërsa bëri thirrje për bashkimin e të gjitha forcave opozitare në procesin e Reformës Zgjedhore.
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve solidarizohet me protestën e studentëve: Pedagogët t’i bashkohen tubimit
U arrestua gjatë protestave, Gjykata e Apelit ndryshon masën e sigurisë për Klevi Metajn! Lihet “detyrim paraqitje”
Ambasadori Wendt takim me studentët: Ndërtojnë të ardhmen e Shqipërisë, të frymëzuar nga SHBA
- 16:17 Kreu i Mossad arrin në SHBA pas kërkesave për sulme të reja ndaj Iranit
- 15:59 Shpërthen makina në Moskë, plagoset ish-ndihmësi i kryeministrit pro-rus të Ukrainës
- 15:48 Microsoft njofton përmirësim të shërbimeve pas ndërprerjes globale, miliona përdorues 18 orë pa akses
- 15:30 Greva e transportit në Itali, kaos në qarkullim në disa qytete, preken autobusët, tramvajet dhe metroja
- 15:26 Dështon tentativa për uljen e avionit në Angli, bishti prek pistën e Heathrow (VIDEO)
- 15:26 Portugalia përgatit nderimin special për Ronaldon