Rusia ka pësuar humbje të mëdha njerëzore në betejat për kontrollin e Donbasit, ku vetëm në luftimet për Avdiivka, Pokrovsk dhe Bakhmut vlerësohet se janë vrarë mbi 168 mijë ushtarë rusë.
Sipas një analize të publikuar nga *Financial Times*, gati 40% e të gjitha vdekjeve ushtarake ruse në luftën në Ukrainë lidhen me këto tri beteja. Më shumë se 120 mijë ushtarë rusë dyshohet se janë vrarë në zonat e Avdiivkës dhe Pokrovskut, ndërsa rreth 48 mijë të tjerë kanë humbur jetën në luftimet për Bakhmutin.
Të marra së bashku, këto shifra përbëjnë rreth 37% të numrit të përgjithshëm të ushtarëve rusë të vrarë gjatë luftës, që *Financial Times* e vlerëson në të paktën 450-464 mijë.
Megjithatë, bilanci mund të jetë edhe më i rëndë. Publikimi vlerëson se, duke përfshirë edhe vdekjet që nuk janë raportuar zyrtarisht, numri i përgjithshëm i ushtarëve rusë të vrarë mund të ketë arritur në 550 mijë deri në gusht 2026.
Nëse ritmi aktual i humbjeve vazhdon, kjo shifër mund të shkojë në 650 mijë deri në fund të vitit.
Ndërkohë, një vlerësim i publikuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në janar 2026 fliste për 1.2 milion viktima ruse. Por kjo shifër përfshin jo vetëm ushtarët e vrarë, por edhe të plagosurit dhe të zhdukurit.
