Dallavere me tokat e shtetit, gjykata merr vendim për zyrtarin e Arkivit Komunal të Prishtinës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Dallavere me tokat e shtetit, gjykata merr vendim për zyrtarin e Arkivit Komunal të Prishtinës

    Insajderi
    13 November 2026 - 16:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji zyrtarit të Arkivit Ndërkomunal, Mehdi Bahtiri, i cili dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e tjetërsimit të pronave shtetërore.

    Gjykata ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

    Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale dhe për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale.

    Në njoftimin e gjykatës thuhet se Stacioni Policor në Lipjan është obliguar ta zbatojë këtë masë dhe të verifikojë në çdo kohë respektimin e saj nga i dyshuari.

    Policia, gjithashtu, duhet ta njoftojë pa vonesë gjykatën në rast të ndonjë shkeljeje të masës së arrestit shtëpiak.

    Gjykata ka paralajmëruar se, nëse i dyshuari nuk e respekton aktvendimin, masa e arrestit shtëpiak mund të zëvendësohet me atë të paraburgimit.

    Ndaj këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

    Si u tjetërsuan tri parcelat shtetërore?

    Rasti për të cilin dyshohet Bahtiri lidhet me tjetërsimin e tri parcelave pronësore në Prishtinë, të cilat, sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga Insajderi, dyshohet se kaluan nga pronësia shtetërore në atë private përmes një dokumenti të falsifikuar.

    Sipas hetimeve, më 24 shkurt 2023, Bahtiri kishte lëshuar një shkresë zyrtare përmes së cilës kishte konfirmuar si autentik një dokument në gjuhën serbe, të datës 10 korrik 1997, i cili i referohej një vendimi të vitit 1954.

    Ky dokument ishte paraqitur nga Nebojsha Janjiq, i cili kërkonte regjistrimin e të drejtave pronësore mbi tri parcela në Prishtinë.

    Mirëpo, gjatë verifikimeve të kryera më 21 korrik 2026 nga Policia dhe Arkivi Ndërkomunal, ishte konstatuar se dokumenti për të cilin ishte lëshuar vërtetimi nuk ekzistonte në dosjen përkatëse të arkivit.

    Sipas dosjes së Prokurorisë, konfirmimi i lëshuar nga Bahtiri ishte përdorur më pas në procedurat e regjistrimit të pronave në Kadastër, Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe në procedurat gjyqësore, deri në Gjykatën Supreme.

    Si rezultat, tri parcelat kishin kaluar në emër të Janjiqit. Dy prej tyre, në zonën kadastrale të Matiçanit, më vonë ishin ndarë në 47 njësi të reja kadastrale dhe kishin kaluar në pronësi të personave të tjerë.

    Ndërkaq, parcela e tretë vazhdon të figurojë në emër të Janjiqit.

    Prokuroria dyshon se ky rast nuk është i izoluar. Në dosje thuhet se janë duke u hetuar edhe së paku dy raste të tjera të natyrës së ngjashme.

    Bahtiri i ka mohuar dyshimet gjatë deklarimit në Polici, ndërsa Nebojsha Janjiq, i dyshuar për falsifikim të dokumenteve, vazhdon të jetë në arrati.

    Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka sqaruar se Bahtiri është punonjës i Arkivit Ndërkomunal, institucion që funksionon në kuadër të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në varësi të Ministrisë së Kulturës./Insajderi.org


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark