Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd njoftoi se ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Brendan Hanrahan, është takuar me përfaqësues të Listës Studentore në Serbi.
Sipas njoftimit, takimi kishte për qëllim përgëzimin e tyre për suksesin e arritur në zgjedhje, si dhe diskutimin e mundësive për bashkëpunim në të ardhmen.
Misioni diplomatik i SHBA-së theksoi se Uashingtoni mbetet i gatshëm të bashkëpunojë me udhëheqjen e ardhshme të Serbisë për realizimin e prioriteteve të përbashkëta.
Në deklaratë, Washingtoni shprehu gjithashtu pritshmëritë e tij për vijimin e Dialogut Strategjik ndërmjet dy vendeve dhe për thellimin e mëtejshëm të partneritetit bilateral.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të bashkëpunojnë me udhëheqjen e ardhshme të Serbisë për realizimin e prioriteteve të përbashkëta. Presim me padurim vazhdimin e Dialogut Strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë, si dhe forcimin e mëtejshëm të partneritetit ndërmjet dy vendeve tona”, theksohej aty.
Vizita e Hanrahanit zhvillohet në një moment të rëndësishëm politik për Serbinë, e cila po përgatitet për ndërrimin e pushtetit pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit. Lista Studentore fitoi 140 nga 250 vendet në Kuvend, duke siguruar shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë, ndërsa lista e udhëhequr nga ish-presidenti Aleksandar Vuçiç mori 103 mandate.
Rezultati i dha fund sundimit shumëvjeçar të Partisë së tij Përparimtare Serbe, e cila ishte në pushtet që nga viti 2012. Fitorja e studentëve erdhi pas një vale protestash kundër korrupsionit dhe mungesës së llogaridhënies.
Ndryshimi i pushtetit pritet të shënojë edhe një provë për politikën e jashtme të Serbisë, e cila gjatë udhëheqjes së Vuçiqit ka synuar të ruajë marrëdhëniet me Perëndimin, por pa hequr dorë nga lidhjet e ngushta me Rusinë dhe Kinën.